Qindra dronë që kishin në shënjestër Moskën dhe rajonin përreth vranë të paktën dy persona dhe dëmtuan një rafineri të madhe nafte në ditën e fundit të zgjedhjeve parlamentare që po mbahen në Rusi.

Një zjarr i shkaktuar nga rrëzimi i një droni në një ndërtesë 21-katëshe çoi gjithashtu në evakuimin e 400 personave.

Kryebashkiaku i kryeqytetit akuzoi Ukrainën se po përpiqet të ndërhyjë në zgjedhje, të cilat pritet të forcojnë kontrollin 26-vjeçar të presidentit Vladimir Putin në pushtet.

Vetë presidenti ukrainas, Zelensky, publikoi pamjet e sulmeve në Rusi dhe tha se ishte goditur një nga objektet kryesore të industrisë së naftës dhe një objekt logjistik i armikut. Sipas tij, dëmi shkon në miliarda dollarë.

Sulmi i fundit vjen në një kohë që goditjet nga të dyja palët janë intensifikuar, pavarësisht deklaratës së presidentit amerikan se Rusia dhe Ukraina kishin rënë dakord të mos sulmonin objektet energjetike të njëra-tjetrës.

Sa i takon zgjedhjeve në Rusi, ato janë të parat që nga nisja e luftës rreth 5 vite më parë dhe pritet që t’i japin partisë në pushtet dominim në një sistem politik që, sipas ekspertëve, nuk toleron mospajtim.

Kremlini ka të ngjarë ta paraqesë rezultatin si provë të mbështetjes publike për politikat e presidentit Putin dhe vazhdimësinë e luftës.

Tv Klan

/tvklan.al