Një sulm i përqendruar me dronë rusë goditi qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, Kharkiv, ku mbetën të vrarë dy persona dhe u plagosën 57 të tjerë, përfshirë shtatë fëmijë.

Sulmet intensive me 17 dronë shkaktuan zjarre në 15 apartamente të një ndërtese pesëkatëshe dhe shkaktuan dëme të tjera në qytet, pranë kufirit rus.

Nëntë nga të plagosurit, përfshirë një vajzë 2-vjeçare dhe një djalë 15-vjeçar, janë shtruar në spital në gjendje të rëndë. Oleh Sinehubov, guvernatori i rajonit Kharkiv, bëri të ditur se sulmet goditën gjithashtu depo dhe disa ndërtesa banimi. Ushtria ukrainase tha se Rusia kishte lëshuar 85 dronë gjatë natës, 40 prej të cilëve u rrëzuan.

Sulmi i kryer në Kharkiv pasoi dy sulmet më të mëdha kundër Ukrainës këtë javë, një pjesë e bombardimeve të intensifikuara që Moska i quajti masa hakmarrëse për sulmet e fundit të Kievit në Rusi.
Presidenti Volodymyr Zelensky dënoi “sulmin brutal” dhe i kërkoi SHBA-së të lejojë Ukrainën të blejë sisteme të mbrojtjes ajrore urgjentisht. Ndër të tjera, ai tha se Rusia ka rritur vazhdimisht numrin e armëve që lëshon në Ukrainë në sulmet e saj masive.

Ndërkaq, nuk ka asnjë zhvillim të ri nga përpjekjet për një marrëveshje armëpushimi. Që nga fillimi i qershorit, Rusia ka lëshuar drejt Ukrainës mesatarisht 256 predha çdo 24 orë, sipas shifrave të përpiluara nga forcat ajrore ukrainase, ndërsa në muajin maj, për herë të parë, numri i dronëve të lëshuar nga ushtria ruse kaloi 4,000. Ky muaj ka të ngjarë të shënojë një rekord të ri. Shumica dërrmuese e këtyre janë dronë, duke përfshirë modele të tipit Shahed. BBC raporton se numri rekord i sulmeve me dronë sinjalizon një ndryshim të rrezikshëm në luftë.

Ndërkaq, Komisioni Evropian propozoi të martën një paketë të 18-të sanksionesh kundër Rusisë për pushtimin e Ukrainës. Paketa e re propozon ndalimin e transaksioneve me tubacionet e gazit Nord Stream të Rusisë, si dhe të bankave që angazhohen në anashkalimin e sanksioneve.

Klan News

/tvklan.al