Rusia akuzohet nga shërbimet inteligjente britanike se ka tentuar të hakerojë kamerat e sigurisë në kufirin ukrainas, për të spiunuar dhe sabotuar ndihmat perëndimore që dërgohen në Ukrainë.

Akuza është bërë nga Qendra Kombëtare e Sigurisë Kibernetike të Mbretërisë së Bashkuar, që ka arritur të zbulojë se njësia ruse “26165” dhe “GRU” kanë tentuar të marrin kontrollin e kamerave të sigurisë në kufi duke përdorur metodën “grep” përmes linqeve të ndryshme, e që më pas do të merrnin nën kontroll të gjithë aksesin.

Autoritetet britanike të inteligjencës kanë bërë thirrje për më shumë kujdes dhe për të marrë masa sa i përket sigurisë kibernetike.

Sulmet kibernetike pretendohet se janë bërë edhe nga njësia tjetër ruse “APT 28” dhe “Fancy Bear”, që dyshohet se kanë kryer sulme të tilla edhe ndaj organizatave publike dhe private në shtetet e NATO-s që prej vitit 2022.

Sipas shërbimeve të inteligjencës britanike, rusët kanë tentuar të hyjnë në kamerat e vendosura në pozicione kyçe, si vendkalime kufitare, vendqëndrime ushtarake, stacione hekurudhore etj.

E gjitha me qëllim për t’u informuar rreth ndihmave perëndimore që dërgohen në Ukrainë, por edhe për t’i sabotuar ato.

Sipas të dhënave, thuhet se hakerat rusë kanë tentuar ndërhyrjen në 10 mijë kamera të lokalizuara në vendndodhje të ndryshme, raporton “The Guardian”.

Pretendohet se 4% e kamerave që u synua të hakeroheshin ishin në Poloni, 2.8% në Hungari dhe 1.7% në Sllovaki. Pjesa tjetër nuk janë bërë e ditur.

Sulmi kibernetik ndaj kamerave të sigurisë në vendkalimet kufitare të Ukrainës u bë i ditur përmes një raporti të hartuar nga Britania e Madhe, SHBA, Gjermania, Çekia, Polonia, Australia, Kanadaja, Danimarka, Estonia, Franca dhe Holanda.

/tvklan.al