Ukraina përjetoi orë tmerri nga një valë sulmesh ruse në disa rajone të vendit, të cilat i morën jetën 7 personave, mes të cilëve edhe dy fëmijë.

Në Kharkiv, pamjet tregojnë flakët që përfshinë një bllok banimi, ndërsa autoritetet po punonin për nxjerrjen e trupave të pajetë.

Në jug, në rajonin e Odesës, objektivi ishte infrastruktura portuale. Goditjet ruse shkaktuan zjarre masive në depot e drithërave dhe kontejnerët me vaj vegjetal, duke goditur kështu direkt zinxhirin e eksporteve ushqimore.

Katër stacione hekurudhore në Ukrainën qendrore u sulmuan, duke paralizuar për orë të tëra lëvizjen e civilëve dhe furnizimeve.

Në një reagim në X, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e quajti “sulm barbar kundër jetës”. Ai u bëri thirrje sërish aleatëve perëndimorë për më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore, duke theksuar se “përgjigja ndaj këtyre krimeve duhet të jetë e menjëhershme”.

“Rusia përdori 29 raketa kundër Ukrainës, të cilat shënjestruan infrastrukturën energjetike në Kiev, rajonet Khmelnytskyi dhe Chernivtsi, dhe hekurudhën në rajonin Zhytomyr. Dëme janë raportuar në disa rajone të tjera. Shërbimet përkatëse po punojnë kudo që është e nevojshme. Duhet të ketë një përgjigje nga partnerët ndaj këtyre sulmeve të egra kundër jetës. Falënderoj të gjithë ata që nuk do të heshtin”, deklaroi Volodymyr Zelensky, president i Ukrainës.

Intensiteti i sulmit ka vënë në alarm autoritetet ukrainase, të cilat druhen se Rusia po tenton shkatërrimin përfundimtar të sektorit energjetik të vendit.

Klan News

/tvklan.al