11 shtator 2026 – Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ishte dje në Berlin, ku shprehu solidaritetin e NATO-s me Gjermaninë pas sulmit të dështuar ndaj aeroportit të Lajpcigut, i cili i është atribuar Rusisë.

Rutte tha se në të gjithë Europën po ndodhin sulme hibride, si sulme kibernetike, sabotime dhe sulme me dronë, duke përmendur edhe rastin e Lajpcigut.

Ai e përshkroi Rusinë e Vladimir Putinit si një “regjim të dëshpëruar”, sepse nuk po arrin objektivat e saj në Ukrainë. Sipas Rutte, veprimet e Rusisë tregojnë dobësi dhe dështim në Ukrainë.

Rutte tha gjithashtu se Rusia humbet më shumë se 40 mijë ushtarë në muaj, të vrarë ose të plagosur rëndë.

Ai theksoi se NATO nuk do të frikësohet dhe nuk do të tërhiqet: Putin mendon se mund të na përçajë, të na destabilizojë dhe të dobësojë mbështetjen tonë për Ukrainën, por do të dështojë.

Sipas Rutte-s, sulmet ruse kanë sjellë efektin e kundërt: NATO po rrit mbështetjen për Ukrainën.

Rutte dhe kërcënimi i Le Pen ndaj NATO-s

Në Berlin, Mark Rutte deklaroi se Evropa nuk duhet të jetë “naive” përballë kërcënimit që paraqet Rusia.

Në të njëjtën kohë, zhvillimet politike në Evropë, veçanërisht forcimi i partive të djathta ekstreme, përbëjnë një çështje të rëndësishme për të ardhmen e NATO-s.

Në Gjermani, vëmendja është përqendruar edhe te partia AfD. Qeveria gjermane shqetësohet për mundësinë që, nëse AfD-ja do të marrë pushtetin në Saksoni-Anhalt, drejtuesit e saj mund të kenë akses në informacione dhe plane të klasifikuara që lidhen me mbrojtjen dhe luftën.

Në Francë, një tjetër çështje e rëndësishme lidhet me Marine Le Pen dhe mundësinë e fitores së saj në zgjedhjet presidenciale. Një zhvillim i tillë do të kishte rëndësi për politikën e Francës ndaj NATO-s dhe për qëndrimin e saj ndaj mbështetjes për Ukrainën.


/tvklan.al