Sot është 9 maji dhe përkon me Dita e Europës. Kohët e fundit, gjithnjë e më shumë politika shqiptare po premton mbi anëtarësimin në familjen e madhe europiane. E në fakt, pyetja nuk qëndron te fakti nëse na pranon ne Europa, por nëse duan vërtet shqiptarët të integrohen në Europë pa sakrifikuar asnjë zakon shqiptar.

I ftuar për të folur më gjerë mbi këtë çështje në emisionin “Aldo Morning Show”, ishte gazetari dhe analisti Ben Andoni. Ai u shpreh se shqiptarët e duan komoditetin, e duan rregullin kur janë në vende të tjera, por menjëherë sapo shkelin në Shqipëri, ndryshimi është i menjëhershëm.

“Kam kuptuar se jashtë ligji është religjion, që do të thotë se shqiptarët e kanë në nënvetëdijen e tyre se atje nuk mund të negociohet, atje nuk është kultura e të fortit, atje ti do të përgjigjesh 100% për ligjin, për rregullin e për gjithçka… Vijnë në Shqipëri, shumica mundohen të përcjellin cilësitë më të mira të shqiptarit urban apo edhe të shqiptarit që vjen nga provinca, por më besoni, në masën më të madhe, duke përfshirë edhe njerëzit e Parlamentit, është gati fe që ti ta thyesh ligjin, është gati fe që ti të tregosh që ke statusin e të fortit, statusin e të pasurit dhe kjo të jep një lloj stature në këtë lloj shoqërie që kemi ngritur.”

Andoni pohoi se ka edhe shqiptarë të mirë, zëri i të cilëve mbytet nga pjesa e turmës, e cila nuk e do rregullin. Ai gjithashtu u shpreh se ne e kemi identitetin europian, por jo Perëndimin në pjesën më të madhe.

“Unë besoj se i përkasim Europës Qendrore dhe kemi reminishenca të shumta të Orientit, të cilat në masë ndikojnë në shtresëzimet e mentalitetit. Besoj se peshojmë më shumë nga Lindja.”

I pyetur nëse shqiptarët do të ndiheshin më të lirë apo më të kufizuar, po të supozonim se Shqipëria do të bëhej një shtet perfekt europian, me ligje të forta dhe pa favore, Andoni u përgjigj se do të ndiheshin më të kufizuar.

“Mendoj që shqiptarët do të ishin të kufizuar, sepse shqiptarët kanë mentalitetin e shpresës, që do të thotë që shqiptarët në çdo moment besojnë se përballë tyre do të jetë diçka që ata nuk mund ta parashikojnë dot, prandaj ky fatalitet i shpresës na ndjek, prandaj ne duam që shumë gjërave t’u biem shkurt.”

/tvklan.al