Prokuroria federale gjermane ka njoftuar se policia italiane ka arrestuar një shtetas ukrainas, i dyshuar se ka marrë pjesë në sabotimin e gazsjellësve Nord Stream, në vitin 2022. Sipas “Bild”, bëhet fjalë për Serhiy K., i cili ndodhej në bordin e jahtit të përdorur nga sabotatorët.
Ai dhe bashkëpunëtorët e tij ishin nisur nga Rostocku, në bregun verilindor të Gjermanisë, me një jaht me vela për të kryer sulmin, thuhet në njoftim, duke shtuar se mjeti lundrues ishte marrë me qira nga një kompani gjermane, me ndihmën e dokumenteve të falsifikuara të identitetit, përmes ndërmjetësve.
Prokuroria federale gjermane po heton mbi sulmin e dyshuar. Arrestimi, i pari në lidhje me këtë çështje me profil të lartë, u krye në provincën e Riminisë nga agjentë të policisë, mbi bazën e një urdhër-arresti europian të lëshuar nga Gjykata Federale e Drejtësisë më 18 gusht, bëri të ditur prokuroria federale në një komunikatë.
Më 26 shtator 2022, një seri shpërthimesh nënujore shkaktuan rrjedhje të mëdha gazi në tre nga katër tubacionet e Nord Stream 1 dhe Nord Stream 2, duke i bërë ato të papërdorshme. Incidentet ndodhën në ujërat ndërkombëtare, por brenda zonave ekonomike të Danimarkës dhe Suedisë, pranë ishullit Bornholm në Detin Baltik.
Nord Stream 1 dhe 2 transportonin gaz natyror nga Rusia në Gjermani përmes Detit Baltik dhe ishin shumicë në pronësi të kompanisë shtetërore ruse Gazprom. Shpërthimet shkaktuan dëme të mëdha infrastrukturore. Disa linja u shkatërruan plotësisht. Ato patën ndikim mjedisor të konsiderueshëm për shkak të lirimit të metanit në atmosferë. Ngjarja po ashtu solli rritje të tensioneve gjeopolitike dhe akuzave të ndërsjella mes vendeve./tvklan.al












Botërori 2026 
