Nuk kishte ende prekur topin, por Mohamed Salah kishte pushtuar tashmë zemrat e tifozëve të rinj.

Mbërritja e yllit egjiptian në Trabzon ka kthyer rrugët e qytetit turk në një skenë spektakli, me mijëra njerëz që kanë dalë për të përshëndetur një prej emrave më të mëdhenj të futbollit botëror.

Transferimi i 34 vjeçarit në Turqi ka sjellë një valë entuziazmi të jashtëzakonshëm.

Rreth 25 mijë tifozë kanë krijuar një atmosferë elektrizuese me këngë, flamuj, fishekzjarrë dhe flakadanë, duke i dhënë sulmuesit një mirëseardhje të veçantë.

Por përtej spektaklit, një detaj i veçantë tërhoqi vëmendjen, numri që do të mbajë në shpinë. Në fillim, prezantimi zyrtar solli një surprizë.

Salah u shfaq me numrin 61, një simbol i lidhur ngushtë me Trabzonin dhe identitetin e qytetit. Por kjo ishte vetëm një shenjë respekti për vendin ku po nis aventurën e re.

Në fushë, egjiptiani do të mbajë numrin 10, të njëjtin që vesh me kombëtaren e tij.

Dhe pas këtij ndryshimi qëndron një gjest i bukur sportiv nga Ernest Muçi.

Futbollisti shqiptar i Trabzonsporit kishte zgjedhur numrin 10 për sezonin e ri, por vendosi t’ia dorëzojë Salahut, duke i hapur rrugën një prej yjeve më të mëdhenj të futbollit të dekadës së fundit.

Fillimisht klubi turk kishte menduar për numrin 11, fanellën ikonë që Salah mbajti gjatë periudhës së tij historike me Liverpoolin, por dëshira e tij ishte të rikthehej te numri 10, një numër që tashmë është pjesë e identitetit të tij me kombëtaren egjiptiane.

Pas 9 sezoneve të paharrueshme në Angli, ku u kthye në një legjendë të Liverpoolit me 442 ndeshje dhe 257 gola, Salah hap një kapitull të ri larg Premier Leagues.

Në Trabzon, pritja ka qenë vetëm fillimi. Tani tifozët presin që magjia e “Faraonit” të kalojë nga rrugët e qytetit në fushën e lojës.

Klan News

/tvklan.al