Më 23 maj Partia Demokratike nuk do të ketë garë, por referendum në zgjedhjet për kreun e ri të kësaj force politike. Selia blu ka vendosur të mos pranojë asnjë kandidat përballë Sali Berishës dhe të legjitimojë këtë të fundit si emrin e vetëm në zgjedhjet për drejtuesin e ri të partisë për katër vitet e ardhshme.

Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale i ka mbyllur derën e kandidimit mjekes Mereme Sela dhe kandidatit Vladimir Mulaj, me argumentin se nuk plotësojnë kriterin e të qenit një “figurë me profil shumë të lartë publik dhe politik” dhe se u mungon “eksperienca drejtuese elektorale në nivel kombëtar apo rajonal”.

Ndërkohë, në shqyrtim nuk u mor dokumentacioni i mbërritur në selinë blu, qoftë fizikisht apo përmes postës elektronike të Evi Kokalarit, Alesia Balliut dhe Ervin Salianjit, me justifikimin se të tre janë vetëpërjashtuar.

Pa rival përballë, më 23 maj Sali Berisha do të kërkojë nga demokratët një konfirmim për të drejtuar edhe për katër vitet e ardhshme Partinë Demokratike. E teksa Komiteti i Organizimit të zgjedhjeve i ka propozuar zyrtarisht kryesisë vetëm kandidaturën e Sali Berishës për miratim, në selinë blu ka nisur puna edhe për ndryshimet në statut, ku 14 maji është afati i fundit i dorëzimit të propozimeve për kushtetutën e demokratëve.

Brenda 25 majit drafti do t’i paraqitet kryesisë për miratim, për t’u ratifikuar më pas nga vota e anëtarësisë në Kuvendin Kombëtar të 30 majit.

Tv Klan

/tvklan.al