14 mars 2026 – Kryedemokrati Sali Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, ka shkuar këtë të shtunë në Elbasan, me rastin e Ditës së Verës.

Ai u prit nga demokrati Luçiano Boçi, Tomor Alizoti dhe qytetarë të shumtë, teksa qyteti ‘gëlon’ nga zhurma e aktiviteteve festive.

Berisha vuri veroren dhe siç e do tradita, i dhanë ballokume e lule. Përtej urimeve, ai nuk la pas akuzat në drejtim të kryeministrit Edi Rama dhe deputetes Belinda Balluku. Çështjen e kësaj të fundit e lidh me procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

“Elbasani, sot si kryeqytet i festës, ju uroj gëzuar Ditën e Verës, festën më të lashtë jo vetëm të shqiptarëve, por edhe kombeve të tjera. Një ditë që ngjall shpresë, frymëzon ripërtëritje, një ditë gëzimi! Sot, këtë festë shqiptarët e festojnë më të bindur se kurrë se festën tjetër të keqen ia lanë dimrit e Rama me Lubinë të ardhme nuk kanë më.

Kjo është Dita e fundit e Verës që ata i gjen me karrige të thyer, ashtu siç janë. Nuk e meritojnë!

Të urojmë që vitin e ardhshëm qytetarët ta festojnë siç ua don zemra, me dyer të hapura drejt të ardhmes dhe Europës. Është e trishtë dhe e dhimbshme se në 34 vite, kjo është Dita e parë e Verës kur dyert e Europës janë mbyllur, për shkak të veprimeve të pashembulla nga dyshja Rama-Balluku.

Të punojmë fort që Dita tjetër e Verës të na gjejë sa më afër ëndrrës tonë europiane!”, tha Berisha në një prononcim për gazetarët.


/tvklan.al