Nis këtë të shtunë në Zvicër, samiti për paqen në Ukrainë me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga më shumë se 90 vende. Në samitin që zgjat edhe të dielën, i pranishëm është edhe presidenti ukrainas Volodimir Zelenski, i cili mbërriti direkt nga Italia ku mori pjesë edhe në samitin e G7-ës.

Qëllimi i këtij samiti, ku përfaqësohet edhe Shqipëria nga Presidenti Bajram Begaj është diskutimi dhe përafrimi i qëndrimeve të vendeve pjesëmarrëse për të nxitur fundin e luftës ruse në Ukrainë. Kjo luftë zgjat prej 2 vite e 4 muajsh, ndërsa ky samit ka pjesëmarrjen më të madhe deri më tani për këtë çështje.

Pritshmëri të mëdha se ky samit mund të sjellë ndonjë zgjidhje të shpejtë nuk ka. Rusia nuk është ftuar, ndërsa Kina preferoi të mos përfshihej. Për më tepër, Vladimir Putin lëshoi një ultimatum afatshkurtër ku i kërkoi Ukrainës të heqë menjëherë dorë nga përpjekjet për anëtarësim në NATO si dhe të njohë dhe të tërheqë trupat nga rajonet e aneksuara nga Rusia.

Në këmbim, Putin do të urdhërojë armëpushim të menjëhershëm, por përgjigja e Volodimir Zelenskit ishte se ky propozim nuk ishte aspak i besueshëm.

Tv Klan