Udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor do të mblidhen më 25 nëntor në Bruksel, në kuadër të samitit me në fokus rëndësinë strategjike të marrëdhënieve mes BE-së dhe rajonit.

Ky samit do të pasojë publikimin nga Komisioni Evropian  më 28 Tetor të afateve kohore se kur pritet anëtarësimi i Shqipërisë, Malit të Zi, Ukrainës dhe Moldavisë në familjen evropiane.

Bashkimin Evropian në këtë samit do ta përfaqësojnë presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, dhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula Von Der Leyen.

Në një deklaratë për samitin e nëntorit, Costa theksoi rëndësinë e perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe rolin e BE-së si partner i besueshëm i rajonit.

“E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian. Anëtarësimi i tyre është përparësia jonë, ambicia jonë e përbashkët dhe një investim vendimtar gjeopolitik në këto kohë të trazuara. BE-ja është dhe do të mbetet partneri më i besueshëm i rajonit”, tha Costa.

Samiti do të shërbejë për të nxitur këto shtete që të përshpejtojnë reformat thelbësore dhe të përmbushin angazhimet e nevojshme për përparimin drejt anëtarësimit.

Liderët do të vlerësojnë gjithashtu ecurinë e integrimit gradual të rajonit në Bashkimin Evropian, veçanërisht përmes Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, si dhe do të diskutojnë hapat e mëtejshëm për zbatimin e tij.

Në fokus të diskutimeve do të jenë edhe sfidat e përbashkëta dhe mënyrat për të forcuar sigurinë dhe qëndrueshmërinë, në një mjedis gjithnjë e më kompleks gjeopolitik.

Samiti është pjesë e zbatimit të Agjendës Strategjike të Këshillit Evropian për periudhën 2024-2029.

Takimet e nivelit të lartë mes Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor zhvillohen rregullisht që prej vitit 2018. Samiti i fundit u mbajt në Tivat, më 5 qershor 2026.

Në datat 1-4 qershor 2026, presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, zhvilloi një vizitë në rajonin tonë, ku u takua me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

/tvklan.al