Liderët europianë të mbledhur në Bruksel do të miratojnë zyrtarisht në samitin dy ditor të Këshillit Europian, fillimin e negociatave me Bosnje Hercegovinën. Edhe në këtë rast, si me vendin tonë, Franca, Holanda dhe Danimarka kanë shprehur rezerva, por mosmarrëveshjet janë tejkaluar. Po ashtu liderët evropianë i kanë dhënë dritën jeshile dokumentit për reformat e zgjerimit i cili i hap rrugë ndër të tjera edhe heqjes së vetos në këto vendimmarrje. U rekomandua kalimi në votimin me shumicë të cilësuar në fusha të caktuara të politikës së jashtme dhe të sigurisë.

Kohët e fundit Brukseli është përballur me veton hungareze për Ukrainën atë të Greqisë për Shqipërinë dhe veton bullgare për Shkupin. Krerët e shteteve anëtare kanë vendosur që të lejojnë vendet kandidate të integrohen pjesërisht në BE nëpërmjet procesit të quajtur integrimi gradual përpara se atyre t’u jepet anëtarësimi i plotë.

Komisioni Europian ka nënvizuar nevojën që shtetet anëtare që të përdorin “abstenim konstruktiv” sipas nenit 31(1) sa herë që pozicioni i tyre do të ishte ndryshe dhe i izoluar nga shumica për një temë të caktuar për të mos penguar me unanimitetin vendimmarrjen në Këshillin Europian. Abstenimi konstruktiv u përdor së fundmi në rastin e kryeministrit hungarez Orban në votimin për financimin e Ukrainës. Liderët pritet që të theksojnë se të dyja proceset e reformave, si ato të zgjerimit dhe reformat e brendshme të BE-së, duhet të ecin paralelisht.

Austria, Kroacia, Hungaria dhe Sllovenia propozuan që anëtarësimi i Ukrainës dhe Moldavisë të jetë në një kohë me për integrimin e plotë me vendet e Ballkanit Perëndimor. Duke sjellë ndërmend rezultatet e integrimit të shteteve lindore në vitin 2004 u konstatua se PBB-ja i kombinuar e BE-së pas dhjetë vitesh është rritur në 13 trilionë euro. Presidenca belge pritet të organizojë diskutime të mëtejshme mbi reformat e zgjerimit për qeverisjen, buxhetin dhe punën e jashtme brenda Këshillit Evropian deri në samitin e BE-së në muajin Qershor.

Klan News