Kryeministri Edi Rama priti këtë të premte, më 24 prill, në një takim Ambasadorin e SHBA-ve në NATO, Matthew Whitaker.

Në këtë takim, siç bën të ditur vetë kreu i qeverisë shqiptare, u fol ndër të tjera edhe për Samitin e NATO-s vitin e ardhshëm në Tiranë, ku sipas Ramës, Shqipëria do të bëhet pikëtakimi i aleancës më të madhe ushtarake të botës.

“Në Kryeministri, me Ambasadorin e SHBA-së në NATO, Matthew Whitaker, folëm për lidhjen e ngushtë mes vendeve tona, partneritetin strategjik mes shteteve tona, marrëdhëniet tona të shkëlqyera diplomatike e ushtarake, forcimi i të cilave është prioritet i përbashkët, si edhe për Samitin e NATO-s vitin e ardhshëm në Tiranë, ku Shqipëria do të bëhet pikëtakimi i aleancës më të madhe ushtarake të botës”, shkroi kryeministri në një postim në Facebook.

Samiti i NATO-s pritet të sjellë në Shqipëri liderët e vendeve më të fuqishme të botës, mes të cilëve edhe Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Vendimi për mbajtjen e këtij samiti në vendin tonë u mor në qershor të vitit të shkuar, gjatë një samiti dy ditor që u zhvillua në Hagë. Kjo ngjarje është e pazakontë për një vend të vogël si Shqipëria, e cila është pjesë e Aleancës që prej vitit 2009.

Gjatë qëndrimit të tij në Tiranë, ambasadori Whitaker u takua gjithashtu me Ministrin e Mbrojtjes, Ermal Nufi.

“Sot me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në NATO, Matthew Whitaker, me të cilin vlerësuam bashkërisht rëndësinë strategjike të partneritetit të fortë mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të ndërtuar mbi vlera të përbashkëta. Shqipëria mbetet e angazhuar për paqe dhe stabilitet në rajon e më gjerë; me këtë frymë diskutuam për nevojën e bashkëpunimit më të ngushtë mes aleatëve përballë sfidave. Shpreha mirënjohjen time për mbështetjen e palëkundur dhe të fuqishme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i japin Shqipërisë në forcimin e partneritetit tonë strategjik në rajon”, thuhet në një postim të Ministrisë së Mbrojtjes.