Presidenti amerikan, Donald Trump, nuk do që të humbë kohë dhe kërkon ta “rrahë hekurin sa është i nxehtë”.
Ndërsa pret të takojë të hënën presidentin ukrainas Volodimir Zelensky në Shtëpinë e Bardhë, ai kërkon ta bindë atë për të arritur një marrëveshje me Rusinë dhe për t’u ulur në takimin tripalësh me Putin brenda javës së ardhshme.
Lajmin e bën të ditur agjencia amerikane e lajmeve “Axios” në Uashington, e cila raporton se dy burime të informuara pranë Shtëpisë së Bardhë i thanë korrespondentit të saj, Barak Ravid, se Trump kërkon që ky samit të zhvillohet të premten, më 22 gusht.
Por, bazuar në kushtet që Putin vuri gjatë takimit të Alaskës për aneksimin e disa territoreve të pushtuara në Ukrainë, një përparim kaq i madh në bisedime, sipas mediave amerikane, duket i pamundur.
Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kritikoi Rusinë për refuzimin e saj për të pranuar një armëpushim, duke theksuar se kjo “e ndërlikon situatën” për t’i dhënë fund luftës dhe për të arritur një paqe të qëndrueshme.
“Nëse Putin nuk është i gatshëm të japë një urdhër të thjeshtë për të ndaluar sulmet, mund të duhet shumë përpjekje që Rusia të dëshirojë t’i përmbahet diçkaje shumë më të rëndësishme: bashkëjetesës paqësore me fqinjët e saj për dekada të tëra,” shkroi Zelensky.
Para se të niset për në Uashington, Zelensky do të zhvillojë këtë të dielë edhe një takim tjetër online me liderët europianë, ku pritet të diskutohet qëndrimi që do të mbajë gjatë takimit me Trump.
Në një deklaratë të përbashkët, të ndarë nga presidenti ukrainas, udhëheqësit e tetë vendeve baltike thonë se Putinit “nuk mund t’i besohet”, por vendet “mbeten të palëkundura” në mbështetjen e tyre për Ukrainën.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 