Sanksionet e gjera të OKB-së ndaj Iranit kanë hyrë sërish në fuqi për herë të parë pas një dekade, duke shkaktuar zemërim në Teheran, pasi bisedimet e fundit bërthamore me fuqitë perëndimore nuk arritën të sjellin një marrëveshje.
Sanksionet, që hynë në fuqi të shtunën, 28 shtator, dhe tre muaj pas bombardimeve nga Izraeli dhe SHBA ndaj Iranit, ndalojnë çdo marrëveshje që lidhet me programin bërthamor dhe raketat balistike të Teheranit dhe pritet të kenë ndikim më të gjerë në ekonominë e tij të trazuar.
Në një deklaratë të dielën, ndërsa riali iranian ra në një nivel rekord kundrejt dollarit amerikan, ministria e jashtme iraniane e dënoi lëvizjen. “Rivendosja e rezolutave të anuluara është pa bazë ligjore dhe e pajustifikueshme”, thuhet në deklaratë. “Të gjitha vendet duhet të përmbahen nga njohja e kësaj situate të paligjshme”.
Diplomatët evropianë dhe amerikanë theksuan menjëherë pas rifillimit të sanksioneve se diplomacia nuk ka përfunduar. Sekretari amerikan i shtetit, Marco Rubio, i bëri thirrje Teheranit të “pranojë bisedime të drejtpërdrejta, të mbajtura me mirëbesim”.
Ai gjithashtu u bëri thirrje vendeve anëtare të OKB-së të “zbatojnë menjëherë sanksionet për të ushtruar presion mbi udhëheqësit iranianë që të bëjnë atë që është e drejtë për kombin e tyre dhe më e mira për sigurinë globale”.
Ministrat e jashtëm të Britanisë, Francës dhe Gjermanisë thanë në një deklaratë të përbashkët se do të vazhdojnë të kërkojnë “një zgjidhje të re diplomatike për të siguruar që Irani të mos marrë kurrë një armë bërthamore”. Ata i bënë thirrje Teheranit “të përmbahet nga çdo veprim përshkallëzues”.
Diplomatja kryesore e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, tha se sanksionet “nuk duhet të jenë fundi i diplomacisë” dhe se “një zgjidhje e qëndrueshme për çështjen bërthamore iraniane mund të arrihet vetëm përmes negociatave”. Irani ka lejuar inspektorët e OKB-së të rikthehen në objektet e tij bërthamore, por presidenti Masoud Pezeshkian tha se SHBA kishte ofruar vetëm një lehtësim të shkurtër në këmbim të dorëzimit të gjithë rezervës së uraniumit të pasuruar, një propozim që ai e cilësoi si të papranueshëm.
Një përpjekje e minutës së fundit nga aleatët e Iranit, Rusia dhe Kina, për të shtyrë sanksionet deri në prill, dështoi të siguronte mjaft vota në Këshillin e Sigurimit të premten, duke çuar në hyrjen në fuqi të masave në orën 1 të mëngjesit BST të dielën.
Gjermania, e cila bashkë me Britaninë dhe Francën nxitën rikthimin e sanksioneve, tha se “nuk kishte zgjedhje” pasi Irani nuk po përmbushtte detyrimet e tij, sipas ministrit të jashtëm Johann Wadephul.
“Për ne është imperative: Irani nuk duhet të marrë kurrë një armë bërthamore. Por më lejoni të theksoj: ne mbetemi të hapur për negociata mbi një marrëveshje të re. Diplomacia mund dhe duhet të vazhdojë”, tha ai në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Rusia bëri të qartë se nuk do t’i zbatojë sanksionet, duke i konsideruar ato të pavlefshme. Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se sanksionet “zbuluan përfundimisht politikën e sabotimit të zgjidhjeve konstruktive nga perëndimi në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, si dhe dëshirën për të nxjerrë lëshime të njëanshme nga Teherani përmes shantazhit dhe presionit”.
Irani ka pohuar prej kohësh se nuk po kërkon armë bërthamore. Sanksionet janë një “snapback” i masave të ngrira në vitin 2015 kur Irani pranoi kufizime të mëdha në programin e tij bërthamor nën një marrëveshje të negociuar nga ish-presidenti amerikan Barack Obama.
SHBA tashmë kishte vendosur sanksione të mëdha, përfshirë përpjekjen për të detyruar të gjitha vendet të ndalojnë blerjen e naftës iraniane, kur Donald Trump u tërhoq nga marrëveshja në mandatin e tij të parë presidencial.
Irani dhe SHBA kishin zhvilluar disa raunde bisedimesh të ndërmjetësuara nga Oman këtë vit, përpara se të dështonin në qershor kur fillimisht Izraeli dhe më pas SHBA sulmuan objektet bërthamore iraniane. Irani tërhoqi ambasadorët e tij nga Britania, Franca dhe Gjermania për konsultime të shtunën, raportoi televizioni shtetëror.
“Situata [ekonomike] aktuale ishte tashmë shumë e vështirë, por do të përkeqësohet”, tha një inxhinier iranian që kërkoi të identifikohej vetëm me emrin Dariush.
“Ndikimi i sanksioneve të rinovuara është tashmë i dukshëm: kursi i këmbimit po rritet, dhe kjo po çon në çmime më të larta”, tha 50-vjeçari për AFP, duke u ankuar për një standard jetese që ishte “shumë më i ulët” se dy ose tre vite më parë.
Dollari po tregtohej rreth 1.12 milion rialë në tregun e zi të shtunën, një rekord sipas disa faqeve që ndjekin kursin e këmbimit. SHBA tashmë zbaton sanksione të njëanshme ndaj Iranit dhe ka ushtruar presion të madh mbi vendet e treta që të ndalojnë blerjen e naftës iraniane, megjithëse Kina i ka sfiduar ato.
Instituti ndërkombëtar me bazë në Bruksel, International Crisis Group, tha se Irani dukej se po i shpërfillte sanksionet e rinovuara të OKB-së, pasi kishte gjetur mënyra për të përballuar ato të SHBA-ve.
Por vuri në dukje se rikthimi i sanksioneve nuk është i lehtë për t’u zhbërë, pasi kërkon konsensus në Këshillin e Sigurimit.
“Ka gjasa që të përkeqësojë edhe më tej gjendjen e një ekonomie që tashmë po lufton me inflacion të lartë, probleme me valutën dhe infrastrukturë në përkeqësim”, tha ai
/tvklan.al












Botërori 2026 
