Polemikat mes këngëtarit me origjinë shqiptare Ermal Meta dhe zv.kryeministrit Matteo Salvini kanë marrë vëmendjen e mediave italiane pas deklaratave të këngëtarit gjatë konferencës për shtyp në kuadër të Festival di Sanremo.

Teksa foli për rëndësinë e teksteve dhe për vlerësimin e marrë nga Accademia della Crusca, institucioni më i lartë i studimit të gjuhës italiane, këngëtari që prej tri dekadash jeton në Itali tha se, «Nëse Accademia della Crusca zgjedh ndër më të mirët një tekst të shkruar nga një emigrant, bëni disa pyetje».

Më pas ai shtoi me ironi: «Jam i huaj, mos ia tregoni Salvinit, se mos i bie të fikët».

Sipas mediave italiane, deklarata u interpretua si ironike, por edhe si reflektim mbi integrimin dhe identitetin kulturor.

Përgjigjja e Salvinit erdhi përmes një deklarate zyrtare. Zëvendëskryeministri dhe lideri i Lega përgëzoi Metën për «përdorimin e përsosur të gjuhës italiane», duke e quajtur «një shembull integrimi në vendin tonë».

“Miliona gra dhe burra të lindur në vende të huaja dhe të integruar në mënyrë të përsosur në shoqërinë tonë jetojnë dhe punojnë në Itali. Unë i vlerësoj dhe i mirëpres ata. Gjithmonë i kam kundërshtuar emigrantët e paligjshëm dhe kriminelët, dhe jam i sigurt se Ermal Meta e ndan këtë ndjenjë. Një përqafim popullit krenar shqiptar. Rroftë Sanremo, gjuha italiane dhe muzika italiane”, pohoi Matteo Salvini, Zv.kyeministri i Italisë.

Sipas komenteve dhe analizave në shtypin italian, polemika është lexuar më shumë si një shkëmbim simbolik sesa një përplasje e ashpër politike. Disa e kanë parë si një moment që nxjerr në pah tensionet e zakonshme mbi temën e emigracionit dhe identitetit, ndërsa të tjerë si dëshmi se arti dhe gjuha mund të tejkalojnë ndarjet ideologjike.

Zëvendëskryeministri dhe kreu i partisë Lega Nord e vlerësoi publikisht artistin me origjinë shqiptare Ermal Meta, që konkurroi në Festivalin Sanremo 2026 me këngën “Stella Stellina”.

Në mbështetje të Metës doli edhe Adriano Celentano, i cili deklaroi: «E pamundur që ti të mos fitosh», duke i dhënë peshë morale artistit në mes të debatit publik.

Klan News

/tvklan.al