Një histori frymëzuese mes një babai dhe vajzës së tij ishte këtë të mërkurë, më 15 korrik, në fokus të emisionit “Rudina”, ku pasioni për violinën është kthyer në urën që i bashkon edhe më fort. Violinisti i njohur Alban Tahiri dhe vajza e tij 7-vjeçare, Mabel Tahiri, ndajnë të njëjtën dashuri për violinën, duke sjellë një shembull të bukur të trashëgimisë artistike brenda familjes së tyre.

Alban Tahiri është një nga violinistët më të njohur në vend. Karrierën e nisi në Greqi dhe më pas e vazhdoi në Shqipëri si violinist dhe drejtues orkestre në emisione e spektakle televizive. Që prej vitit 2006 është pjesë e Orkestrës Popullore të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, ndërsa që nga viti 2014 mban detyrën e përgjegjësit të saj.

Gjatë intervistës ai tregoi se rrugëtimi i tij me violinën e nisi që në fëmijëri, si një shtysë nga prindërit, ndërsa shtoi se talenti të cilin prindërit kishin evidentuar, e bënë të ndiqte këtë karrierë, edhe pse sipas tij violina konsiderohet instrumenti më i vështirë.

“Është instrumenti më i vështirë dhe, po t’i shikosh të tjerët që kanë bërë violinë dhe më pas kanë marrë instrumente të tjera nëpër duar, janë të jashtëzakonshëm në klarinetë, saksofon apo kitarë. Ka shumë artistë këtu te ne që kanë bërë më parë violinë dhe më pas kanë kaluar në këto instrumente.”

Ai ka përfaqësuar Shqipërinë në skena prestigjioze ndërkombëtare, mes tyre edhe në Festivalin e Sanremos në vitin 2006, ku shoqëroi me violinë këngëtaren Ana Oxa me këngën “Processo a me stessa”.

“Ardit Gjebrea ishte promotori dhe kërkoi një violinë për të luajtur një këngë të Anna Oxa-s. Shkuam në studio dhe e bëmë incizimin, por nuk e kishim në mendje se do të shkonim në Sanremo. Nuk flitej në atë periudhë për atë gjë. Më pas na telefonoi dhe na tha të bëheshim gati, sepse na donte atje. Ka qenë një nga gjërat më të arrira që kam bërë personalisht. Kemi bërë shumë koncerte edhe me Ansamblin, kam qenë edhe në aktivitete private, deri për Mbretin e Katarit, por Sanremo ka mbetur një stampë dhe e kam shumë për zemër.”

Në gjurmët e të atit po ecën edhe vajza e tij 7-vjeçare, Mabel Tahiri, e cila ka nisur të spikasë si një talent premtues në violinë. Hapat e parë në muzikë i hodhi në moshën 4-vjeçare me pianon, ndërsa në moshën 5-vjeçare iu përkushtua violinës.

Arritjet e saj kanë qenë të shpejta. Gjatë intervistës ajo prezantoi diplomat, kupën dhe medaljet e fituara në aktivitetet kulturore ku ka marrë pjesë, mes tyre edhe në konkursin “Tempo Gjiroclassica”. Mabel është nderuar gjithashtu me Çmimin Ndërkombëtar “Dritëro Agolli”, për përkushtimin dhe pasionin e saj në hapat e parë në artin e violinës.

Vogëlushja tregoi se ëndërron të bëhet një artiste e madhe dhe se ndihet shumë e lumtur sa herë merr në duar violinën.

“Kam flutura kur e hap violinën dhe e studioj se të duket sikur do dalësh mirë dhe do bëhesh artiste e madhe. Këtë ndjesi të jep. E shoh veten kur të rritem që jam bërë artiste me shumë punë dhe emocionohem e kënaqem shumë për arritjet. Duhet shumë punë që të dalësh shkëlqyeshëm, të marrësh diploma dhe kupa. Është pak e vështirë, por unë mendoj se do t’ia dal shumë mirë me violinën. Kam bërë shumë mund që t’i bëj koncertet pa asnjë gabim.”

Në vitin 2024 ajo u bë pjesë e kastit të spektaklit “Në Kurthin e Piter Pan 7”, si një nga 10 fëmijët e përzgjedhur.

Babë e bijë kanë realizuar së bashku edhe klipin “Baresha”, ku interpretojnë në violinë, duke dëshmuar se muzika është jo vetëm pasioni i tyre, por edhe gjuha që i bashkon më së miri.

/tvklan.al