Agjenti i Kumbullës: Për të luajtur hoqi dorë edhe nga kushtet financiare

Në miqësoret e Marsit nuk mori asnjë minutë, gjithsesi, Marash Kumbulla shpreson të jetë në Euro2024 me ngjyrat kuqezi. Mbrojtësi zgjodhi Sassuolën për të luajtur pjesën e dytë të sezonit, me minutat që do t’i sponsorizonin edhe përfshirjen në listën e trajnerit Sylvinho.

Pikërisht ky objektiv e shtyu për tu huazuar tek skuadra nga Emilia-Romanja, me agjentin e 24-vjeçarit, Xhani Vitali, i cili ka zbuluar edhe planet për mbrojtësin e Romës.

“Marrëveshja e Janarit nuk ishte e thjeshtë, sidomos për të gjetur akordin mes të gjitha palëve.  Në fund gjithçka shkoi mire. Për të shkuar dhe për të luajtur ai hoqi dorë nga diçka edhe nga pikëpamja financiare, por ishte e rëndësishme për të që të mos humbiste vendin e tij në kombëtare në kuadër të Europianit dhe të kthehej në formë të plotë te Roma,” ka pranuar Vitali për mediat italiane.

Qendërmbrojtësi ka luajtur vetëm 22 minuta me Sassuolën, kjo e ndikuar edhe nga dëmtimi i rëndë që e mbajti jashtë fushave për thuajse 10 muaj. Kumbulla ka një kontratë me Romën, teksa pritet të jetë një ndër futbollistët e zgjedhur nga trajneri Sylvinho për aventurën në kampionatin Europian të kësaj vere.

Klan News