Në konferencën për shtyp raportuesi për Shqipërinë Andreas Schieder beson se vendi ynë mund të anëtarësohet në Bashkimin Evropian brenda vitit 2029.
“Fakti që raporti u votua me shumicë dërrmuese, është një sinjal i mirë sepse Shqipëria është një nga dy kandidatët kryesorë për anëtarësim në BE. Parlamenti mbështet plotësisht një zgjerim të mundshëm të Bashkimit Evropian me anëtarësimin e Shqipërisë në këtë mandat legjislativ, që do të thotë në vitin 2028-2029”, tha raportuesi për Shqipërinë, Andreas Schieder.
Vlerësoi konsensusin politik për integrimin.
“Mendoj se ata do të bëjnë gjithçka që t’i përfundojnë negociatat në vitin 2027. Dhe pastaj varet nga ata dhe varet nga ne, që do të thotë që 27 shtetet anëtare dhe Parlamenti Evropian duhet ta ratifikojnë traktatin e anëtarësimit”, u shpreh Schieder.
Iu referua edhe protestave në rrugë.
“Shqipëria ka një sistem politik shumë vital ku shumë shpesh janë përdorur protestat në rrugë. Unë mendoj se shqetësimet e njerëzve që protestojnë janë serioze veçanërisht kur përdoret termi ikje e trurit, mendoj se është një kërkesë për një të ardhme më të mirë, për një vend pa korrupsion. Ne po i diskutojmë po ashtu prej vitesh çështjet mjedisore. Delta e Vjosës është nën mbrojtje edhe për shkak të debatit evropian, por edhe për shkak të qeverisë atje, dhe tani kemi diskutimin se si, si ta trajtojmë këtë. Për të gjitha këto pyetje, përgjigjja është më shumë Evropë”, theksoi Schieder.
U ndal tek kapitulli 27 i negociatave.
“Kapitulli 27 dhe i gjithë legjislacioni evropian i faunës, habitatit dhe rregullat që kemi, garanton atë që natyra nuk mund të shkatërrohet nga investime të mëdha. Mendoj se është e rëndësishme t’i marrim shqetësimet seriozisht, por edhe të jemi të vetëdijshëm se me standardin evropian edhe shqetësimet e njerëzve në protestë janë përmbushur plotësisht”, përfundoi Schieder.
Schieder beson se anëtarësimi i shpejtë i Shqipërisë do të ishte i rëndësishëm për Bashkimin Evropian, sepse kjo është një lojë ku të dyja palët do të fitojnë.
/tvklan.al












Botërori 2026 