Trajneri i ri i Bayern Munich, Vincent Kompany kreu seancën e parë stërvitore me ekipin në fushën e “Allianz Arena”.

Tekniku 38-vjeçar nënshkroi një marrëveshje me gjigandët gjermanë deri në vitin 2027, pasi vendosi të largohej nga skuadra angleze e Bërnlejt, që ra në Championship.

Kompani tha se kërkon nga skuadra e tij një ekip agresiv dhe të guximshëm në fushë.

Bayern pas 11 titujsh radhazi të fituar, e mbylli sezonin e shkuar në vend të tretë në renditje pas Leverkusen që fitoi titullin dhe Stuttgart.

Për herë të parë në më shumë se një dekadë, Bayern-i nuk arriti të fitonte asnjë titull.

Drejtuesit bavarezë e patën të vështirë të gjenin zëvendësuesin e Tuhel, e më pas arritën akordin me Kompani që di gjermanisht dhe ka luajtur për Hamburgun.

Belgu ka luajtur 360 ndeshje me Manchester City, ku edhe fitoi 4 Premier Liga. Ai ka fituar reputacion për faktin se skuadrat që ai drejton luajnë futboll të rrjedhshëm dhe dallohen për zotërimin e topit.

Kompani e nisi karrierën si trajner me ekipin e Anderlehtit përpara se të merrte drejtimin e Bërnlejt në vitin 2022.

Klan News