“65 deputetë rezultojnë të jenë kundër.”
Rrëzimi i kërkesave të demokratëve për interpelancë dhe mocion me debat me kryeministrin Rama u bë shkak që opozita të bllokojë seancën e fundit plenare për këtë sesion parlamentar, duke shkaktuar për më shumë se 2 orë kaos e tension në Kuvend.
“Ju lutem, Zoti Berisha lironi foltoren.”
Mungesa e Kryeministrit ngriti jo pak temperaturën e debatit brenda në sallën e Parlamentit, teksa demokratët e akuzonin se qëndron në krye të aferës së inceneratorëve.
Sali Berisha: Duhet të vijë kryeministri para shqiptarëve të kërkojë falje, të denoncojë arratisjen e zëvendësit të tij dhe të japë dorëheqjen.
Gazment Bardhi: Ka ca kohë që ju kërcënon se nëse ngrihet ndonjë zë i pavarur në grupin tuaj, do të ju çojë në zgjedhje të parakohshme.
Akuzave të opozitës për inceneratorët, i dha përgjigje ministrja e Financave, por shifrat e saj u kundërshtuan nga Berisha.
Albana Vokshi: Sa para shkojnë në ditë për inceneratorët?
Delina Ibrahimaj: Nuk paguhet asnjë para nga buxheti i shtetit për impiantet e trajtimit të mbetjeve të Elbasanit, të Fierit. Për impiantin e Tiranës, është një fond në buxhetin e shtetit prej 200 milionë Lekësh.
Sali Berisha: Me një marrëveshje të firmosur vetëm në vitin e parë, djegësi i Tiranës ka marrë nga qeveria shqiptare 6.4 milionë Euro dhe 1 milionë Euro nga Bashkia e Tiranës. Janë bërë gjer tani 64 milionë Euro nga buxheti i shtetit.
Ndërprerja e seancës plenare nuk mjaftoi që palët t’i riktheheshin normalitetit. Për më shumë se dy orë, opozita e maxhoranca vijuan me replikat në distancë.
Sali Berisha: I bëj thirrje OLAF të hetojnë shkelmimin e miliona Eurove të taksapaguesve evropianë, shkelmimin e strategjisë së trajtimit të mbetjeve. Çdo fjalë i duket se po i vë hekurat në duar.
Gazment Bardhi: Nuk do kalojë kohë kur edhe Edi Rama do të duhet të përballet me drejtësinë.
Elisa Spiropali: Nuk është hera e parë që e shpallni këtë qeveri apo qeveritë socialiste, mafie, grup kriminal, narkoshtet, kreu i Meduzës, janë për turpin tuaj. Sa herë që votoheni, populli shqiptar jua kthen përgjigjen me votë.
Më herët, palët u përfshinë në debat edhe për projektligjin për studentët e Mjekësisë, ligjin për legalizimin e kultivimit të kanabisit për qëllime mjekësore dhe atë për Akademinë e Shkencave.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 