Rreziqet që lidhen me ndryshimet klimatike, faktorët mjedisorë e socialë po përfshihen gradualisht në mbikëqyrjen e sektorit bankar në përputhje me detyrimet e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Kështu u shpreh Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko gjatë fjalës së tij në Komisionin për Nismat Qytetare.
“Qëllimi është që këto rreziqe të identifikohen dhe menaxhohen në kohë, pasi mund të ndikojnë në aftësinë e huamarrësve për të shlyer kreditë, vlerën e kolateralit dhe qëndrueshmërinë financiare të bankave. Në kuadër të strategjisë sektoriale, Banka e Shqipërisë ka përcaktuar pritshmëri mbikëqyrëse dhe ka udhëzuar bankat të vlerësojnë përgatitjen për administrimin e rreziqeve klimatike dhe të qëndrueshmërisë. Kjo fazë është fokusuar në rritjen e ndërgjegjësimit, identifikimin e sektorëve më të ekspozuar dhe forcimin e kapaciteteve të bankave për t’i menaxhuar më mirë këto rreziqe”, tha Sejko.
Sejko nënvizoi gjithashtu se në fokus të Bankës Qëndrore është edhe përafrimi me kuadrin rregullator të Bashkimit Evropian sidomos në fushën digjitale.
“Banka e Shqipërisë po çon përpara një paketë reformash ligjore. Përafrimi po shtrihet edhe në fushën digjitale. Një akt i ri për qëndrueshmërinë operacionale digjitale do ta afrojë Shqipërinë me standardet evropiane për sigurinë kibernetike dhe teknologjinë. Ndërkohë, jemi në pritje të vlerësimit përfundimtar të ekuivalencës nga Autoriteti Bankar Evropian. Ky vlerësim synon të provojë se kuadri ynë rregullator, mbikëqyrës dhe institucional është i krahasueshëm me atë të Bashkimit Evropian, jo vetëm në letër, por edhe në praktikë”, përfundoi Sejko.
Stabiliteti ekonomik dhe integrimi financiar evropian po kthehet nga objektiv politik në standard konkret pune sipas Bankës së Shqipërisë.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 