Një nga ndikimet më të dukshme të inovacionit në shërbimet financiare të Shqipërisë është transformimi digjital i pagesave dhe i bankingut. Sipas Guvernatorit Gent Sejko numri i pagesave me instrumentet online është rritur ndjeshëm gjatë vitit të kaluar.
“Përdorimi i instrumenteve elektronike të pagesave vijon të rritet me ritme dyshifrore, duke ndihmuar në reduktimin e përdorimit të cash-it dhe rritjen e formalizimit të ekonomisë. Numri i pagesave digjitale për frymë ka arritur në 23 në vitin 2024, nga vetëm 2 pagesa për frymë në vitin 2015. Gjithashtu, përfshirja financiare – e matur si përqindje e popullsisë që zotëron të paktën një llogari financiare – ka arritur në 78%, nga rreth 40% në vitin 2015”, tha Gent Sejko.
Edhe zerimi i komisioneve për sistemin AIPS Euro ka kursyer kohë dhe financa për qytetarët nënvizoi Guvernatori Sejko.
“Kemi siguruar ofrimin e infrastrukturave të reja të pagesave, siç është sistemi AIPS Euro, i cili ka mundësuar shmangien e radhëve të gjata nëpër sportelet e bankave për kryerjen e pagesave në euro nga njëra bankë në tjetrën dhe uljen e komisioneve të larta të aplikuara nga transferimi përmes bankave korrespondente. Operimi i këtij sistemi ka gjeneruar kursime të konsiderueshme, të cilat përllogariten në rreth 100 milionë Euro. Vetëm nga zerimi i komisioneve për pagesat deri në 20,000 Lekë në vitin 2020, konsumatorëve dhe bizneseve u janë kursyer përafërsisht 700 milionë Lekë”, tha guvernatori Sejko.
Ndërsa për kreun e Dhomës Amerikane të Tregtisë, Bankingu i Hapur ofron mjaft avantazhe.
“Open Banking po e revolucionarizon sektorin financiar në Shqipëri, duke e përafruar me standardet globale si direktiva e rishikuar e shërbimeve të pagesave të Bashkimit Europian. Kjo ndodh në kohën kur Shqipëria është bërë pjesë e SEPA”, tha Neritan Mullaj.
Banka e Shqipërisë nënvizon se inovacioni në shërbimet e sektorit bankar të vendit tonë do të vijojë të përmirësohet dhe të zgjerojë gamën e shërbimeve.
Klan News