Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, zhvilloi një tur diplomatik në Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajt dhe Bahrein, për t’u dhënë garanci partnerëve rajonalë se siguria e tyre nuk do të vihet në rrezik nga negociatat mes Uashingtonit dhe Teheranit. Vizita nisi në Abu Dhabi, ku Rubio u takua me Presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan.

Gjatë një dreke pune me zyrtarë të lartë, palët diskutuan memorandumin e mirëkuptimit mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, sigurinë detare në Ngushticën e Hormuzit, si dhe rëndësinë e ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në rajon. Departamenti Amerikan i Shtetit bëri të ditur se Rubio rikonfirmoi angazhimin e Uashingtonit për sigurinë e Emirateve.

Pas ndalesës në Emiratet e Bashkuara Arabe, Rubio udhëtoi drejt Kuvajtit, ku u prit nga Emiri Sheikh Meshal Al Ahmad Al Jaber Al Sabah dhe më pas zhvilloi takime me drejtues të tjerë të lartë të vendit, përfshirë princin e kurorës. Gjatë një deklarate për mediat në Kuvajt, Rubio theksoi se Uashingtoni do t’i mbajë të informuar aleatët e tij për çdo hap të negociatave me Teheranin.

“Ne duam që ata ta dinë dhe duam të ritheksojmë se do t’i përfshijmë në biseda për çdo vendim që merret në lidhje me këto negociata. Nuk do të bëjmë asgjë që cenon sigurinë e aleatëve tanë afatgjatë në rajon.”

Shefi i diplomacisë amerikane bëri të ditur gjithashtu se bisedimet teknike mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit do të vazhdojnë javën e ardhshme.

“Nuk njoh asnjë vend në botë që mbështet vendosjen e tarifave apo pagesave për përdorimin e ngushticës. Kjo nuk do të ndodhë. Presidenti ka qenë shumë i qartë për këtë çështje. Besoj se takimi i radhës do të mbahet më 30 qershor. Negociatat janë ndarë në grupe pune për çështje të veçanta dhe ekipi teknik do të rikthehet javën e ardhshme për të vijuar diskutimet.”

Pas Kuvajtit, Rubio u nis drejt Bahreinit, ndalesa e fundit e turneut të tij në Gjirin Persik. Vizita zhvillohet në një moment delikat për rajonin, ndërsa aleatët arabë të SHBA-së kërkojnë garanci se memorandumi i mirëkuptimit me Iranin nuk do të cënojë sigurinë e tyre.

Klan News

/tvklan.al