Këngëtari Justin Timberlake po përgatit një seri dokumentarësh me zbulime mbi marrëdhënien e tij me dy yjet e muzikës botërore, Janet Jackson dhe Britney Spears. Projekti pritet të hedhë dritë mbi disa episode të panjohura të jetës së tij personale dhe marrëdhënieve me dy këngëtaret e famshme.
Sipas revistës “Variety”, duke iu referuar një burimi që njeh përmbajtjen e projektit, seria do të përbëhet nga katër episode dhe pritet të publikohet në muajin dhjetor në platformën Apple TV.
Një nga momentet më të përfolura të dokumentarit pritet të jetë pjesëmarrja e Janet Jackson, e cila do të flasë për incidentin famëkeq të vitit 2004, gjatë performancës së përbashkët me Timberlake në finalen e Super Bowl. Ngjarja, e njohur si “Nipplegate”, shkaktoi një debat të madh publik në SHBA-të dhe pati pasoja të rëndësishme për karrierën e këngëtares.
Ndërkohë, një tjetër burim për revistën ka bërë të ditur se Timberlake do të komentojë edhe disa deklarata të fundit të ish-partneres së tij, Britney Spears. Për momentin, nuk janë zbuluar detaje të tjera mbi përmbajtjen e dokumentarit apo temat konkrete që do të trajtohen.
Seria do të drejtohet nga Fisher Stevens, ndërsa për Timberlake ky nuk është bashkëpunimi i parë me platformën Apple. Këngëtari amerikan ka bashkëpunuar me shërbimin e transmetimit që prej vitit 2021, kur luajti në filmin “Palmer”, një produksion i Apple.
Njoftimi për projektin e ri vjen në një periudhë kur Justin Timberlake ka reduktuar ndjeshëm daljet e tij publike. Muajin e kaluar, ai u shfaq si i ftuar special në koncertin e Jay-Z në Paris, por pas përfundimit të turneut të tij botëror “Forget Tomorrow”, ka qëndruar kryesisht larg vëmendjes së publikut.
Turneu u organizua në kuadër të promovimit të albumit të tij të fundit, “Everything I Thought It Was”, i publikuar në mars të vitit 2024.
Në korrik të vitit 2025, këngëtari zbuloi publikisht se ishte diagnostikuar me sëmundjen Lyme. Ai tregoi se kjo gjendje shëndetësore kishte ndikuar në disa prej performancave të tij gjatë turneut botëror.
/tvklan.al












Botërori 2026 
