Policia e Tiranës ka sqaruar ngjarjen e ndodhur sot në mesditë në zonën e njohur si Oxhaku, ku u ndalua një makinë, por shoferi nuk iu bind urdhrit të efektivëve dhe rrezikoi jetën e njërit prej tyre.

Autoritetet sqarojnë se pas disa minutash ndjekjesh, është bërë i mundur bllokimi i mjetit dhe ndalimi  i drejtuesit të tij, i cili është i shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë. Tashmë ka nisur hetimi pse shoferi nuk i ndaloi efektivëve, ku u ndalua për herë të parë.

Ndërkohë në vijim të këtij operacioni, policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale 1 kilogramë e 128 gramë lëndë narkotike të dyshuar kokainë dhe ka shoqëruar disa persona.

Operacioni është në vijim dhe nuk dihen të gjitha detajet. Ndërkohë ka nisur hetimi dhe për ndalimin e gazetarit, i cili ishte duke filmuar aksionin e policisë./tvklan.al