Dëmi i shkaktuar është mbi 1 miliardë Euro

Fermerët bullgarë që groposën dhe dogjën derrat e tyre të prekur nga gripi afrikan do të marrin nga data 1 Shtator dhe në vijim nga 150 Euro ndihmë financiare. Sipas kryeministrit Bojko Borisov janë asgjesuar rreth 100 mijë derra ose 12% e totalit nga 800 mijë gjithsej në vend. Shumica fermerëve kundërshtuan ashpër therjen dhe vrasjen e kafshëve të tyre dhe madje bllokuan rrugët por pa rezultat, sepse autoritetet bullgare ishin kategorike duke këmbëngulur se asgjësimi i derrave të sëmurë ishte mënyra e vetme për ndalimin e përhapjes së murtajës afrikane.

Mungesa e kapacitetit të djegies ka çuar në varrosjen e këtyre dhjetëra mijëra ton mish të infektuar në tokë. Kriza i kushtoi mbi 1 miliardë Euro ekonomisë bullgare ndërsa Bashkimi Evropian, ka premtuar 14 milionë Euro ndihmë për kompensimin e humbjeve dhe pret që epidemia të evitohet plotësisht deri në fund të vjeshtës. Bullgaria do të këmbëngulë  për një ndryshim në rregullat e BE-së, i cili do të lejojë kompensimin e pronarëve të vegjël, derrat e të cilëve nuk kanë qenë regjistruar në përputhje me normat evropiane.

Atyre tani për tani u është premtuar ndihmë me 150 euro për dezinfektimin e stallave të derrave, pavarësisht sesa kafshë kanë. Mishi i derrit zë një vend kryesor në tryezën e bullgarëve, të cilët tani nuk dinë se çfarë të bëjnë – ta blejnë apo jo, ta konsumojnë apo jo mishin e derrit, i cili edhe i infektuar me murtajën afrikane edhe pse nuk është i rrezikshëm për njerëzit, kur përpunohet në temperaturë të lartë.

Me të vërtetë situata është tragjike jo vetëm për fermerët, por edhe për industrinë e përpunimit të mishit, sallamit si dhe për konsumatorët pasi çmimet e mishit po rriten me të paktën 50%.  Një masë e fortë e sigurisë e ndërmarrë nga autoritetet në Sofje ishte edhe ndërtimi i një gardh teli 133 kilometra përgjatë kufirit tokësor të Bullgarisë me Rumaninë, që synonte të pengonte hyrjen e derrit të egër.

Shumë ekspertë kanë vënë në dyshim dobinë e këtij gardhi, duke patur parasysh që derrat e egër mund të notojë nëpër Danub. Autoritetet në Serbi dhe Kroaci druhen se të prekur nga sëmundja ngjitëse janë edhe derrat e tyre të egër, ndaj dhe kanë kërkuar që të ndalet gjuetia e tyre.

Klan Plus