Pashkët ortodokse rikthyen në Kosovë, Marko Gjuriçin. Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë hyri këtë herë i pashqetësuar në territorin kosovar, me leje nga ministria e jashtme në Prishtinë.

Ai mori pjesë në meshën e mesnatës në manastirin ortodoks të Banjskës në Zveçan.

Dhe pasi ndoqi ritet fetare, ai lëshoi edhe një mesazh.

“Serbët janë të paktë në numër. Por jemi popull trim dhe liridashës. Do të qëndrojmë në Kosovë, do të dimë si ta mbrojmë popullin tonë, sepse këtu për më shumë se 1 mijë vjet kemi ndërtuar identitetin e të gjithë kombit serb”.

Në meshën e Pashkës në Zveçan, Gjuriç shoqërohej edhe nga kreu i Listës Serbe, Goran Rakiç. Kjo është hera e parë që Gjuriç shkel territorin kosovar, që prej 26 marsit kur ai u ndalua nga forcat speciale të policisë së Kosovës gjatë një takimi me serbët e veriut ku diskutohej për themelimin e Bashkësisë së Komunave Serbe. Autoritetet kosovare thanë se Gjuriç hyri pa leje dhe pasi u mor në pyetje në Prishtinë, iu dorëzua autoriteteve të vendit të tij në kufi.

Tv Klan