Daçiç e Çitaku replika rreth raportit për demokracinë

Përfaqësuesit e Prishtinës dhe Beogradit u përplasën në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku diskutohej raporti i të dërguarit të Sekretarit të Përgjithshëm për Sigurinë dhe Demokracinë në Kosovë.

Debate mes ambasadores së Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku dhe kryediplomatit serb Ivica Daçiç ngjalli veçanërisht konstatimi i raportuesit Zahir Tanin, i cili tha se policia e Kosovës ushtroi dhunë të tepruar në ndërhyrjen e 28 Majit në veri kundër organizatave kriminale të komunitetit serb. Palët debatuan veçanërisht për ndalimin e pjesëtarit rus të UNMIK-ut Mikhail Krasnoshchenkov, i cili është person “non-grata”.

“Ai ka qëndruar si “mburojë njerëzore” për të parandalojë autoritetet në zbatimin e ligjit. Çfarë do të ndodhte nëse ndonjëri prej nesh do të tentonte që të parandalonte një operacion policor kundër kriminelëve këtu në Nju Jork, në Uashington, në Berlin, në Moskë, Paris, apo tjetërkund?”, pyeti Vlora Çitaku, Ambasadore e Kosovës në SHBA.

Ministri i Jashtëm serb kërkoi nga komuniteti ndërkombëtar të dënojë këtë rast, ndërsa theksoi se jetesa e minoritetit serb në Kosovë, por edhe pakicave të tjera, nuk ka pasur përmirësime.

“Këtyre njerëzve duhet t’u jepet siguria, liria e lëvizjes dhe e fesë, e drejta për t’u kthyer në shtëpitë e tyre, punësim dhe pjesëmarrje në jetën politike. Marrëveshja e Brukselit e nënshkruar 6 vjet më parë, ka qenë e vështirë për t’u arritur, por zbatimi i saj nuk ka pasur sukses.”

Daçiç i tregoi ambasadores Çitaku certifikatën serbe të lindjes, e cila ishte dhe në gjuhën shqipe. Kjo për të treguar se të drejtat e kosovarëve gjithmonë janë respektuar nga Beogradi.

Në fokus të debateve ishin edhe zgjedhjet e 6 Tetorit. Daçiç vuri në dukje se kandidati për kryeministër, Albin Kurti nuk e njeh flamurin e Kosovës dhe mbështet vetëm atë kombëtar të Shqipërisë. Çitaku u kundërpërgjigj duke thënë se flamuri zyrtar i Kosovës nuk do të hiqet nga zyra e kryeministrit të ri, ndërsa tha se kjo ishte hera e parë që Daçiç shqetësohej për flamurin shtetëror të Kosovës.

Tv Klan