Serbia zgjodhi të mërkurën qeverinë e re e cila do të udhëhiqet nga kryeministri Gjuro Macut dhe do të ketë 30 ministra, 10 prej të cilëve janë emra të rinj në politikë. Për votëbesimin e qeverisë votuan 153 deputetë, ndërsa 46 deputetë votuan kundër.
Në fjalën e tij, Macut tha se Serbia është “e lodhur” nga përçarjet dhe protestat dhe se duhet të punohet “për harmonizimin shoqëror”. Ai tha se synimi i parë do të jetë funksionimi normal i shkollave dhe fakulteteve, puna e të cilave është bllokuar prej muajsh për shkak të protestave të udhëhequra nga studentët.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka uruar qytetarët për zgjedhjen e qeverisë së re, ndërsa kryeministrit të ri Macut dhe anëtarëve të kabinetit të tij u ka bërë thirrje “ta çlirojnë vendin nga terrori dhe ta kthejnë në rrugën e suksesit”.
Ndërkohë, Demo Berisha, kryetari i Shoqatës së Shqiptarëve në Serbi, u emërua ministër për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave. Paraprakisht, kundër emërimit të tij kishte dalë përfaqësuesi i vetëm i shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi.
Por pavarësisht synimit të kryeministri të ri, studentit i vijuan protestat ndërsa kryeministrin e ri e konsiderojnë një vegël të presidentit Vuçiç.
Dhe protestat pritet të shtohen pasi presidenti Vuçiç mohoi dhe një herë se në marshimet e muajit të kaluar është përdorur ndonjë armë zanore për të shpërndarë protestuesit. Për këtë ai iu referua hetimeve të bëra nga Shërbimi Federal rus i Sigurisë.
Tjetër problem për Vuçiçin do të jetë ndërprerja e procesit të anëtarësimit në BE. Kjo pasi vetë Vuçiç nuk ndryshuar vendim për të udhëtuar në Rusi për të marrë pjesë në festimet e “Ditës së Fitores” më 9 maj në Moskë. Në një fjalim drejtuar kombit, Vuçiç tha se do të jetë në kryeqytetin rus me një njësi të Ushtrisë së Serbisë, e cila do të marrë pjesë në ceremoni.
Shefja e diplomacisë së Bashkimit Europian, Kaja Kallas, i ka paralajmëruar liderët e Ballkanit të mos marrin pjesë në paradën e organizuar nga Vladimir Putinit muajin e ardhshëm.
Klan News