Ashtu si shumica e kampionateve në botë, edhe Serie A ka hyrë në një periudhë pushimi për shkak të angazhimeve ndërkombëtare, ku në fokus janë ndeshjet “play-off” për vendet e fundit në Kupën e Botës 2026, si dhe një sërë përballjesh miqësore mes përfaqësueseve.

Kjo ndërprerje ka sjellë një lëvizje masive lojtarësh nga Italia drejt kombëtareve të tyre, me plot 175 futbollistë të thirrur nga klubet e elitës. Një numër i tillë dëshmon edhe një herë nivelin e lartë të kampionatit italian dhe rolin e tij të rëndësishëm në furnizimin e futbollit ndërkombëtar me talente cilësore.

Në këtë panoramë të gjerë, një kontribut të rëndësishëm jep edhe kombëtarja e Shqipërisë, e cila mbështetet te katër futbollistë që aktivizohen në Serie A. Berat Gjimshiti i Atalantës, Ardian Ismajli nga Torino, Elseid Hysaj i Lazios dhe Ylber Ramadani i Lecce-s janë vënë në dispozicion të trajnerit Sylvinho për sfidat vendimtare të “play-off”-it.

Këta lojtarë pritet të kenë një rol kyç në përpjekjen e Shqipërisë për të siguruar një vend historik në Botëror, duke sjellë eksperiencën dhe ritmin e një prej kampionateve më të forta në Europë.

Grumbullimet do të zgjasin deri në mes të javës së ardhshme, moment kur futbollistët do të rikthehen pranë klubeve të tyre për të vijuar fazën më vendimtare të sezonit.

Klan News

/tvklan.al