Serie A po kthehet gjithnjë e më shumë në një kampionat të dominuar nga përvoja, jo vetëm në fjalë, por edhe në shifra. Sipas të dhënave të fundit mosha mesatare e lojtarëve në Serie A është 14 muaj më e lartë sesa mesatarja e 31 ligave kryesore të Evropës. Ky hendek e bën futbollin italian kampionatin më “veteran” në kontinent, duke reflektuar një trend ku shumë klube preferojnë të mbështeten te lojtarë me përvojë, madje edhe në fazën përfundimtare të karrierës së tyre.

Ndërkohë, në Premier League, tabloja është krejtësisht e kundërt. Në dekadën e fundit, numri i lojtarëve nën moshën 23 vjeç që kanë luajtur më shumë se 900 minuta në sezon është rritur me 32%, një tregues i qartë i orientimit të kampionatit anglez drejt zhvillimit të talenteve të rinj. Ky ndryshim filozofie mes ligave nënvizohet gjithnjë e më shumë edhe nga strategjitë e merkatos. Në Itali, emra të mëdhenj si Luka Modric apo Kevin De Bruyne kanë zgjedhur të vazhdojnë karrierën në Serie A, duke forcuar idenë e kampionatit si “streha e fundit” për yjet në perëndim të karrierës.

Në kontrast, klubet angleze, por edhe ato në Gjermani e Francë, po investojnë në akademi, skautim dhe rritje të lojtarëve të rinj, duke ndërtuar skuadra të shpejta, energjike dhe të mbushura me potencial afatgjatë. Serie A vazhdon të tërheqë vëmendjen falë emrave të mëdhenj dhe historisë së pasur, por statistikat tregojnë se ndryshimi midis saj dhe pjesës tjetër të Evropës më shumë se stil loje, është edhe çështje moshe.

Klan News

/tvklan.al