Sezoni turistik rrezikon të dështojë, pasi plazhet shqiptare mund të jenë gjatë gjithë verës të pushtuara nga mushkonjat. Procesi i dezinsektimit nuk ka nisur ende, për shkak se procedurat e tenderit janë ankimuar në Komisionin e Prokurimeve Publike.

Vizitorët e Divjakës e kanë të pamundur të qëndrojnë në park. Mushkonjat kanë nisur të shfaqen në grumbuj bashkë me ngrohjen e motit.

“Ashtu si në këtë zonë, e gjithë vija bregdetare po mbushet me mushkonja”, raporton gazetarja Anila Sefa.

“Edhe pse jemi pikërisht në periudhën kur duhet të kishte nisur dezinsektimi i mushkonjave, në Durrës ky proces ende nuk ka filluar. Kjo vonesë rrit shqetësimin e qytetarëve dhe turistëve, pasi temperaturat e larta favorizojnë përhapjen e tyre”, thotë gazetarja Enkeleda Arapi.

Qytetarët e kërkojnë zgjidhjen te autoritetet.

“Shëngjini është njësoj. Banorët thonë se prezenca e mushkonjave është e lartë në këtë periudhë”.

Autoritetet vendore thonë se janë duke u bërë gati për të ndërhyrë.

“Më sipër në veri, bregdeti i Velipojës përballet me të njëjtën problematikë”, shprehet gazetari Martin Marku.

“Në Shkodër procesi i dezinsektimit duhet të kryhet edhe në liqen, një prej atraksioneve kryesore turistike”, thotë gazetarja Emi Kalaja.

Në jug, ku kanë nisur të shfaqen në masë turistët e parë, mushkonjat janë shqetësimi kryesor i prag sezonit.

Operatori i Blerjeve të Përqendruara e zhvilloi këtë procedurë të tenderit në muajt e parë të këtij viti dhe shpalli fituesit në fillim të prillit. Për Vlorën fituesi u shpall më 1 prill, për Durrësin, Fierin e Shkodrën më 3 prill 2026 dhe për Tiranën më 7 prill 2026.

Por njëra prej kompanive i ka ankimuar të gjitha procedurat, duke shkaktuar vonesa. Komisioni i Prokurimit Publik i ka marrë ankesat brenda mesit të prillit, pasi afati i ankimimit është 10 ditë nga shpallja e fituesit. Por deri tani Komisioni nuk ka marrë asnjë vendim.

Vonesat rrezikojnë procesin e dezinsektimit, i cili duhet të nisë në fillim të majit. Nëse ai nuk kryhet, edhe sezoni turistik është në rrezik, pasi asnjë turist nuk do të donte të pushonte në plazhe ku gjëlojnë mushkonjat.

Tv Klan

/tvklan.al