Prej 15 qershorit, në 32 akse të vendit do të nisë zbatimi i planit të masave për kufizimin e qarkullimit të mjeteve që transportojnë mallra. Vendimi i marrë nga Policia e Shtetit vjen për shkak të lëvizjes së shtuar të automjeteve nga pushues të huaj dhe ato vendas.

Akset e përcaktuara nga uniformat blu janë pikërisht ato që të çojnë drejt zonave bregdetare. Kështu qytetet që preken nga kufizimet janë Shkodra, Lezha, Tirana, Elbasani, Durrësi, Kavaja, Fier, Vlora, Pogradeci, Tepelena, Bajram Curri.

Për të krijuar akses lëvizje në këto qytete, akset e të cilave mbingarkohen me lëvizje përgjatë sezonit turistik, policia rrugore ka parashikuar shtimin e shërbimeve me qëllim qarkullimin e lirshëm të automjeteve.

Burime pranë uniformave blu, bëjnë me dije se ky kufizim lëvizjesh për këtë kategori mjetesh pritet të zgjasë deri më 15 shtator. Gjatë kësaj kohe autoritetet bëjnë thirrje për lëvizjen e tyre në rrugë alternative.

Tv Klan