Sokol Haxhia, foli në Klan News, në prag të ndeshjes së Shqipërisë me Bjellorusinë në Ligën e Kombeve.
Drejtori teknik deklaroi se pritet një ndeshje e vështirë, ndërsa e cilësoi atë si më të vështirë nga sa duket.
Haxhia deklaroi se kuqezinjtë janë në një moment delikat dhe nuk ka vend për nënvlerësim.
“Jemi në një moment delikat, pasi kombëtarja jonë vjen pas ndryshimit të trajnerit dhe ardhjes së trajnerit Maran. Dy ndeshjet e para të qershorit mund të jenë ndikuar nga periudha ose nga nënvlerësimi e lojtarëve, por nuk morëm rezultatet e pritura, siç ishte ndeshja me Izraelin dhe ajo me Luksemburgun.
Ndeshja e sotme është edhe më e rëndësishme sesa duket, po të shohim ecurinë e kombëtares tonë në dhjetë ndeshjet e fundit: pesë të fundit i kemi humbje, ndërsa pesë të parat fitore. Është një ecuri që duket se ka pësuar një rënie gjatë vitit të fundit.
Kjo verë ka qenë shumë revolucionare përsa i përket lëvizjeve të lojtarëve tanë nëpër ekipe, me ndryshime të shumta për lojtarë si Asllani, Gjimshiti, Mitaj apo Hysaj. Për kapitenin tonë Hysaj, madje, mediat italiane raportojnë se mund të pranojë shpejt ofertën e ndonjë skuadre.
Momenti është shumë delikat dhe nuk duhet nënvlerësuar, aq më tepër kur ne vijmë me rezultate negative. Nga ana tjetër, Bjellorusia, pavarësisht se në kualifikueset e Botërorit pati vetëm humbje në grupin e saj, ka treguar një fytyrë tjetër që nga janari kur ndryshoi trajnerin. Në katër ndeshjet e fundit ata kanë regjistruar tri fitore dhe një barazim.
Është një skuadër që e mbështet gjithë lojën e saj te ana fizike, pasi nuk ka shumë individualitete. Pjesa më e madhe e lojtarëve të tyre luajnë në kampionatin rus dhe atë bjellorus dhe nuk kanë nivelin e lojtarëve që kemi ne, por mbeten një kundërshtar shumë fizik, që mbrohet mirë prapa dhe kërkon të shfrytëzojë momentin e duhur për të na ndëshkuar”, deklaroi Haxhia.
/tvklan.al












Botërori 2026 
