Kombëtarja shqiptare rikthehet sonte në “Air Albania”, me synimin për të marrë fitoren e tretë në Ligën e Kombeve dhe për të mbajtur gjallë objektivin e rikthimit në Ligën B.

Kuqezinjtë presin San Marinon, në një sfidë ku tre pikët do t’i rikthenin Shqipërisë shpresën për të rimarrë kreun e grupit.

Skuadra e drejtuar nga Rolando Maran vjen pas humbjes 2-1 në transfertë ndaj Finlandës. Shqipëria kaloi e para në avantazh, por kartoni i kuq i dhënë Etrit Berishës ndryshoi ekuilibrat e takimit dhe në fund kuqezinjtë u larguan pa pikë.

Tashmë, në shtëpi, kërkohet reagimi. Dy nga tre ndeshjet e fundit të grupit do të luhen në Shqipëri dhe sfida me San Marinon shihet si një mundësi për t’u rikthyer te fitorja. Statistikat janë në favor të kuqezinjve.

Shqipëria ka fituar të pesë përballjet e mëparshme me San Marinon, përfshirë edhe ndeshjen e fundit mes tyre, të cilën Kombëtarja e fitoi 3-0, duke ruajtur edhe portën e paprekur.

Në krahun tjetër, San Marino vjen në Tiranë ende në kërkim të pikës së parë në këtë edicion.

Skuadra nuk njeh fitoren prej 17 ndeshjesh ndërkombëtare, me 16 humbje dhe vetëm një barazim. Në këtë seri, San Marino ka shënuar vetëm gjashtë gola, ndërsa ka pësuar 63.

Por Shqipëria nuk kërkon të mbështetet vetëm te statistikat. Diferenca duhet të përkthehet në fushë, aty ku kuqezinjtë synojnë tre pikët për të mbajtur gjallë objektivin e tyre.

Sa i përket formacionit, Rolando Maran pritet t’i besojë Dajsinanit në portë.

Në prapavijë priten Mitaj, Gjimshiti dhe Hysaj, ndërsa Ismajli mbetet në dyshim. Asllani dhe Ramadani pritet të formojnë dyshen e mesfushës, me Pilo, Hoxha, Muçi dhe Manaj që plotësojnë repartin ofensiv.

“Air Albania” është gati për sfidën e mbrëmjes, që nis në orën 20:45 dhe transmetohet drejtpërdrejt në Televizionin Kombëtar Klan.

Klan News

/tvklan.al