Raundi më i fundit i bisedimeve jo të drejtpërdrejta për armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit ka përfunduar pa rezultat. Kështu bën me dije një zyrtar palestinez për BBC.

Takimi zgjati rreth tre orë e gjysmë dhe u zhvillua në dy ndërtesa të ndara në Doha (Katar), ku mesazhet dhe sqarimet mes palëve u shkëmbyen përmes ndërmjetësve nga Katari dhe Egjipti. Megjithatë, nuk ka asnjë zhvillim pozitiv konkret.

Zyrtari konfirmoi se negociatat do të rifillojnë sot, 7 korrik, ku ndërmjetësit do të zhvillojnë takime të ndara me secilën palë në përpjekje për të kapërcyer pengesat mes tyre.

Sipas Reuters, që ka komunikuar me dy zyrtarë palestinezë, delegacioni izraelit nuk ishte “mjaftueshëm i autorizuar” për të arritur një marrëveshje, pasi “nuk kishte fuqi të vërtetë vendimmarrëse”.

Këto bisedime zhvillohen në një moment kur kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, po udhëton drejt Washingtonit për t’u takuar me Presidentin amerikan Donald Trump. Sipas Netanyahu-t ky takim mund të ndihmojë në përparimin e përpjekjeve për arritjen e një marrëveshjeje për lirimin e pengjeve dhe një armëpushim në Gaza.

Ai theksoi se ka dhënë udhëzime të qarta për negociatorët izraelitë që të arrijnë marrëveshje në përputhje me kushtet që Izraeli i ka pranuar.

Nga ana tjetër, Hamasi ka deklaruar se ka reaguar në mënyrë pozitive ndaj propozimit të fundit për armëpushim, megjithëse duket qartë se mes palëve vijojnë të ketë qasje të kundërta. Hamasi ende kërkon garanci për përfundimin e plotë të luftës dhe tërheqjen e ushtrisë izraelite nga Gaza, kushte që qeveria e Netanyahut i ka refuzuar më parë.

Në deklaratat e tij të fundit, Netanyahu konfirmoi se mbetet i përkushtuar ndaj tri objektivave: “Lirimi dhe kthimi i të gjithë pengjeve, të gjallë e të rënë, shkatërrimi i kapaciteteve të Hamasit dhe garancia që Gaza të mos përbëjë më kërcënim për Izraelin.”

Tani u takon Katarit dhe Egjiptit të përpiqen për një dakordësi mes palëve…

Vlen të theksohet se Izraeli e ka rifilluar ofensivën e tij ndaj Hamasit me intensitet të lartë, ndërsa ka vendosur një bllokadë 11-javore ndaj ndihmave humanitare për Gazën, e cila është lehtësuar pjesërisht disa javë më parë.

Vetëm në 24 orët e fundit, ushtria izraelite ka njoftuar se ka goditur 130 objektiva të Hamasit dhe ka vrarë disa militantë, ndërsa viktimat civile në Gaza vazhdojnë të rriten. Sipas zyrtarëve të spitaleve në Gaza, mbi 30 persona humbën jetën të dielën, 6 korrik.

Tashmë pyetja që shtrohet është nëse negociatat në Katar do të mund të sjellin një kompromis të pranueshëm për të dyja palët dhe nëse Trump do të jetë në gjendje të bindë Netanyahun për t’i dhënë fund luftës. Ndërkohë, presioni nga brenda Izraelit po rritet. Qindra qytetarë dolën sërish në rrugë, duke kërkuar që qeveria të arrijë një marrëveshje për lirimin e pengjeve.

Brenda kabinetit izraelit ka edhe zëra të fortë kundër përfundimit të luftës, përfshirë ministrin e Sigurisë Kombëtare Itamar Ben Gvir dhe ministrin e Financave Bezalel Smotrich, të cilët e kundërshtojnë ashpër një armëpushim pa shkatërrimin e plotë të Hamasit.

Kështu, edhe pse ka shenja të një lëvizjeje drejt një marrëveshjeje, paqartësia mbetet e madhe./tvklan.al