Akuzohen për spiunazh, rasti i parë pas 3 dekadash

Për të parën herë në më shumë se 3 dekada, Shtetet e Bashkuara kanë dëbuar dy diplomatë kinezë, të dyshuar për spiunazh. Lajmi bëhet i ditur nga e përditshmja prestigjioze New York Times, që për të faktuar vërtetësinë e lajmit që zyrtarët po e mbajnë sekret, citon të paktën 6 burime nga administrata Trump, që kanë dijeni për këtë dëbim. 

Siç shkruan kjo e përditshme, njëri nga diplomatët e dëbuar është i lidhur me shërbimin sekret kinez. Bashkë me bashkëshortet e tyre, ata kishin vizituar një bazë të re ushtarake në Virxhinia. Në bazë ishin të vendosur objekte të rëndësishme për njësitë e forcave speciale, shkruan New York Times.

Kinezët ishin përpjekur të hynin në bazë me një automjet dhe nuk u ishin bindur urdhrave të ushtarëve të cilët u kishin kërkuar të ktheheshin prapa. Pasi kinezët nuk ishin bindur, atyre iu zu rruga me kamionë ushtarakë për t’u penguar hyrjen. Diplomatët kinezë ishin justifikuar se kishin vazhduar përpara pas urdhrit për të ndaluar, pasi nuk kuptonin anglisht.

Shërbimet amerikane të zbulimit thonë se Kina ka shtuar aktivitetin e spiunazhit në SHBA, për shkak edhe të luftës tregtare të nisur nga Presidenti Trump.

Tv Klan