Në një zhvillim të paprecedentë diplomatik, Shtetet e Bashkuara dhe El Salvador kanë ndërmjetësuar një marrëveshje për shkëmbimin e të burgosurve me Venezuelën, raporton BBC.
Të premten, autoritetet salvadoriane njoftuan se kanë riatdhesuar rreth 250 shtetas venezuelianë, të cilët ndodheshin të burgosur në burgun famëkeq CECOT (Qendra për Burgosjen e Terrorizmit), në këmbim të lirimit të 10 qytetarëve amerikanë që mbaheshin në Venezuelë.
Sipas një njoftimi të përbashkët, një avion me të deportuarit venezuelianë pritet të arrijë në aeroportin Maiquetía në Venezuelë gjatë mbrëmjes së të premtes.
Presidenti i El Salvadorit, Nayib Bukele, deklaroi në një postim në rrjetin X se të gjithë shtetasit venezuelianë të ndaluar në vendin e tij ishin të akuzuar për lidhje me grupin famëkeq kriminal Tren de Aragua (TDA). “Ky shkëmbim u bë në këmbim të një numri të konsiderueshëm të të burgosurve politikë venezuelianë, si dhe të shtetasve amerikanë”, shtoi Bukele.
Nga ana tjetër, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, konfirmoi marrëveshjen dhe falënderoi publikisht presidentin Bukele dhe ekipin diplomatik amerikan.
Ky operacion thekson gjithashtu marrëdhëniet gjithnjë e më të ngushta midis presidentit Bukele dhe presidentit amerikan Donald Trump, të cilat janë forcuar ndjeshëm muajt e fundit. Bukele ka pranuar të strehojë të deportuarit nga SHBA në burgjet e Salvadorit, duke përfshirë edhe të dyshuar për krime të rënda.
Zyrtarë të administratës Trump deklaruan se ky shkëmbim u bë për arsye humanitare dhe se El Salvador mori një “vendim të pavarur” për lirimin e venezuelianëve që konsiderohen pjesë e bandave kriminale.
Marrëveshja e fundit është zhvilluar pas një takimi të ngrohtë midis Bukele dhe Trump në Shtëpinë e Bardhë në prill të këtij viti. Gjatë konferencës për shtyp, të dy liderët shkëmbyen batuta dhe shprehën mbështetje reciproke.
Në prill, Bukele i bëri një thirrje të drejtpërdrejtë presidentit venezuelian Nicolás Maduro, duke propozuar një shkëmbim të plotë të 252 venezuelianëve të deportuar me një numër të barabartë të të burgosurve politikë venezuelianë, përfshirë opozitarë, gazetarë dhe aktivistë të ndaluar gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2024.
“E vetmja arsye pse ata janë në burg është se i kanë dalë përballë jush dhe mashtrimit elektoral,” shkroi Bukele në X.
Megjithëse marrëveshja aktuale përfshinte vetëm lirimin e qytetarëve amerikanë, një zyrtar i lartë i administratës Trump deklaroi se Uashingtoni po vazhdon përpjekjet për lirimin e dhjetëra të burgosurve politikë venezuelianë./tvklan.al












Botërori 2026 
