Pavarësisht anulimit të premten, Shtetet e Bashkuara dhe Irani pritet të nisin këtë fundjavë raundin e parë të bisedimeve direkte, pas nënshkrimit të memorandumit që u dha fund sulmeve amerikano-izraelite më shumë se tremujore. Delegacioni amerikan i udhëhequr nga Steve Witkoff dhe Jared Kushner, ashtu si edhe kryediplomati iranian Abbas Araghchi, janë nisur drejt Zvicrës.

Megjithatë, dialogu përballet gjatë gjithë kohës me rrezikun e dështimit për shkak të luftës në Liban. Sulmet izraelite në jug të Libanit vranë 47 persona, duke vijuar bombardimet pavarësisht se Uashingtoni njoftoi arritjen e një armëpushimi mes Izraelit dhe Hezbollahut.

Presidenti amerikan Donald Trump, në një intervistë për median prestigjioze Axios, e quajti memorandumin e mirëkuptimit një formë pranimi të kapitullimit nga Irani.

“Kjo ka shumë të ngjarë të jetë një kapitullim i pakushtëzuar. Kështu mendoj. Shikoni, ata nuk kanë më ushtri”.

Trump pretendoi gjithashtu se pas vrasjes së Ajatollahut Ali Khamenei, Teherani u përball me një përmbysje të pushtetit.

“Kemi të bëjmë tani me grupin e tretë, që në fakt mendoj se është më i zgjuari. Dhe unë mendoj se bëhet fjalë për ndryshim regjimi”.

Tashmë, suksesi i këtyre bisedimeve në Zvicër do të varet tërësisht nga aftësia e Uashingtonit për të frenuar sulmet e mëtejshme të Izraelit.

Tv Klan

/tvklan.al