Lajmi është konfirmuar nga një zyrtar amerikan, i cili tha se palët do të vazhdojnë negociatat teknike mbi memorandumin me 14 pika, të arritur më 17 qershor, që synon rihapjen e ngushticës për lundrimin ndërkombëtar dhe uljen e tensioneve.

Sipas mediave amerikane, raundi i ardhshëm i bisedimeve pritet të zhvillohet të martën në Doha të Katarit.

Zhvillimi vjen pas disa ditësh përplasjesh të ashpra, të cilat nisën pasi një anije mallrash u godit nga një predhë iraniane në Ngushticën e Hormuzit.

Menjëherë pas kësaj, Irani ndërmori sulme me raketa dhe dronë ndaj bazave ushtarake amerikane në Kuvajt dhe Bahrein, menjëherë pasi presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi se Teherani do të përballej me pasoja të rënda nëse nuk respektonte marrëveshjen.

Autoritetet amerikane thanë se nuk janë raportuar viktima apo dëme të mëdha në bazat ushtarake, ndërsa ushtria e Kuvajtit njoftoi se ka interceptuar dy raketa balistike pa pasoja.

Në Bahrein, një sulm iranian dëmtoi një ndërtesë banimi në provincën Muharraq, por pa viktima. Autoritetet e vendit i kërkuan Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbledhje urgjente për situatën.

Ndërkohë, Katari bëri të ditur se një shtetas i tij humbi jetën dhe një tjetër mbeti i plagosur pas një incidenti në det, i lidhur me operacionet ushtarake në zonë.

Në këtë klimë tensionesh, Izraeli njoftoi se ka kryer sulme të reja ndaj Hezbollahut në Libanin jugor, duke shkatërruar infrastrukturë nëntokësore të grupit.

SHBA-të u informuan përpara sulmit, i cili kishte në shënjestër një tunel 200 metra të gjatë në qytetin Majdal Zoun, sipas deklaratës së kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.

Sipas Tel Avivit, në tunel ishin fshehur qindra armë dhe lëshues raketash. Kryeministri izraelit Netanyahu tha se ushtria izraelite do të mbetej në zonën e sigurisë në Libanin jugor dhe do të vazhdonte të shkatërronte infrastrukturën e Hezbollahut.

Tv Klan

/tvklan.al