Shtetet e Bashkuara të Amerikës e nisën në mënyrë perfekte rrugëtimin e tyre në Kupën e Botës 2026 që po e luajnë në shtëpi, duke mposhtur Paraguain me rezultatin 4-1 në Los Angeles. Një sukses rekord për amerikanët, që nuk kishin shënuar më parë 4 gola në një sfidë të fazës finale të Botërorit.

Ndeshja e Grupit D u zhbllokua që në minutën e shtatë pas një aksioni të Christian Pulisic, ndërsa Bobadilla shkaktoi autogol. Më pas ishte Folarin Balogun, i cili shënoi dy herë, në minutën e 31-të dhe në sekondat e fundit të pjesës së parë, duke i dërguar amerikanët në pushim me avantazhin 3-0.

Në pjesën e dytë, Paraguai ngushtoi shifrat me golin e zëvendësuesit Mauricio në minutën e 73-të, por në kohën shtesë Reyna vulosi triumfin 4-1 me një gol të bukur që solli 3 pikë me vlerë për skuadrën amerikane.

Fitorja e parë gëzon trajnerin Mauricio Pochettino, i cili kujton se është vetëm fillimi.

“Paraqitja ishte vërtet shumë e mirë dhe jemi shumë të lumtur. Por ky është vetëm fillimi. Kanë mbetur edhe dy ndeshje për t’u luajtur. Duhet ta shijojmë këtë nisje të turneut, por duke e ditur se duhet të shikojmë përpara, të përpiqemi të përmirësohemi dhe të bëjmë edhe më mirë në ndeshjet e ardhshme, sepse të gjitha ndeshjet do të jenë shumë të vështira”.

Ky takim u transmetua në Tv Klan.

Tv Klan

/tvklan.al