Mediat iraniane raportuan se këtë të enjte, 23 prill, ushtria aktivizoi mbrojtjen ajrore në kryeqytet dhe disa qytete të tjera, në përgjigje të pranisë së dronëve të vegjël pa pilot, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Përplasjet mes Washingtonit dhe Teheranit vijuan sa i përket Ngushticës së Hormuzit.

Donald Trump tha se Shtetet e Bashkuara e kontrollojnë plotësisht kanalin kritik dhe se ka urdhëruar marinën të ndalojë minimin e ngushticës duke goditur anijet iraniane.

“Kam urdhëruar Marinën e Shteteve të Bashkuara të eliminojë çdo anije, sado e vogël të jetë, që vendos mina në ujërat e ngushticës. Është e mbyllur fort, deri në kohën kur Irani të jetë në gjendje të bëjë një marrëveshje!”

Trump tha gjithashtu se në Iran po zhvillohet një luftë e brendshme për pushtet mes përkrahësve të linjës së ashpër dhe atyre të moderuar.

Por këto pretendime u hodhën poshtë nga Teherani.

“Në Iran nuk ka radikalë apo të moderuar. Me unitet të hekurt të kombit dhe qeverisë, me bindje të plotë ndaj Udhëheqësit Suprem të Revolucionit, ne do të bëjmë që agresori të pendohet për veprimet e tij.”

Ndërkohë, negociatat mes palëve për momentin janë të ngecura. Irani kërkon si parakusht për t’u ulur në bisedime heqjen e bllokadës amerikane nga Hormuzi, ndërsa Trump thotë se marrëveshja do të arrihet vetëm kur të jetë e përshtatshme për SHBA-të.

Tv Klan

/tvklan.al