Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në NATO, Matthew Whitaker, ka kundërshtuar përpjekjet e disa vendeve aleate për të përfshirë projekte infrastrukturore si pjesë të shpenzimeve të tyre për mbrojtjen, duke i cilësuar këto si raste të “kontabilitetit krijues”.

Në një intervistë për Bloomberg, Whitaker deklaroi: “Kam zhvilluar bisedime me disa vende që po adoptojnë një qasje shumë të gjerë për sa i përket shpenzimeve për mbrojtjen.”

Komentet e tij vijnë në një kohë kur është hedhur në diskutim përfshirja e një projekti gjigant infrastrukturor italian, ndërtimi i Urës që lidh Sicilinë me Italinë kontinentale në kuadër të investimeve ushtarake të Italisë në kuadër të NATO-s. Projekti në fjalë ka një kosto të vlerësuar mbi 13 miliardë euro.

Ambasadori amerikan ka qenë i prerë: “Nuk bëhet fjalë për shkolla që, në ndonjë botë imagjinare, do të mund të përdoreshin për ndonjë qëllim ushtarak,” tha ai, duke lënë të kuptohet se SHBA nuk e pranon që kjo lloj infrastrukture të konsiderohet si shpenzim mbrojtës.

Kërkesa e papritur e Trump për rritje të buxhetit ushtarak

Kjo temë doli në pah pas një samiti të mbajtur në qershor në Hagë, ku presidenti amerikan Donald Trump kërkoi në mënyrë të papritur që vendet aleate, përfshirë Italinë, të rrisin buxhetin për mbrojtjen deri në 5% të PBB-së.

Në këtë kontekst, autoritetet italiane tentuan të justifikojnë projektin e Urës si një infrastrukturë me përdorim të dyfishtë, që do të ndihmonte në lëvizjen e forcave të armatosura kombëtare dhe aleate. Sipas kësaj logjike, ura do të kishte rëndësi strategjike për sigurinë kombëtare dhe ndërkombëtare, duke lehtësuar qasjen në bazat ushtarake të vendosura në Sicili një territor ku ndodhen disa baza kyçe të NATO-s.

Një nga mbështetësit më të zëshëm të kësaj ideje ishte ministri italian i Transportit, Matteo Salvini, i cili gjatë një konference për shtyp në Palazzo Chigi e cilësoi urën si një projekt me funksion të dyfishtë, përfshirë edhe “arsye sigurie”.

Megjithatë, kritikat dhe skepticizmi nuk munguan. Shumë ekspertë e kanë vënë në pikëpyetje klasifikimin e një ure prej 13 miliardë eurosh si projekt të mbrojtjes, duke ngritur dyshime mbi qëndrueshmërinë e një qasjeje të tillë ndaj financimeve të NATO-s.

/tvklan.al