Uashingtoni po mban nën presion Moskën dhe po nxit Ukrainën për arritjen e një marrëveshjeje paqeje. Duke e cilësuar veten si të vetmin aktor global që mund t’i japë fund gjakderdhjes në Ukrainë, Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, theksoi se zgjidhja e vetme mbetet tryeza e bisedimeve.

“Administrata ka vijuar të rrisë presionin ndaj Moskës. Presidenti Trump vendosi sanksione shtesë ndaj kompanisë Rosneft, ndërsa ne vazhdojmë të shesim armatime në Ukrainë. Presidenti vlerëson faktin se ai është i vetmi udhëheqës global që ka shansin t’i sjellë të dyja palët në tryezën e negociatave. Jemi të vetmit në planet që kemi arritur të bëjmë negociatorët rusë dhe ata ukrainas të ulen dhe të flasin me njëri-tjetrin”, tha Rubio.

Rubio e cilësoi konfliktin si të pakuptimtë, ndërsa paralajmëroi se durimi i Shtëpisë së Bardhë nuk është i pafundëm.

“Lufta në Ukrainë nuk ka një zgjidhje ushtarake. Ajo do të zgjidhet përmes negociatave dhe ne jemi katalizatori i vetëm. Nëse ne heqim dorë, askush tjetër nuk mund ta bëjë. Nuk mund të parashikoj se kur do të mbarojë durimi i Presidentit, sepse ai e sheh këtë si një luftë të pakuptimtë”.

Por, ndërsa flitet për diplomaci, situata në terren mbetet e tensionuar. Në Zaporizhzhia, një goditje mbi një ndërtesë banimi la të paktën 7 të lënduar.

Situata ishte dramatike edhe në Kharkiv. Guvernatori i rajonit njoftoi se 14 persona u plagosën, mes tyre një fëmijë 7-vjeçar, pas një vale sulmesh.

Ndërkohë, Presidenti Zelenskiy, pas një bisede telefonike me Trump, konfirmoi se në muajin mars pritet raundi i ri i bisedimeve, që synon të hapë rrugën për një takim të nivelit të lartë mes liderëve.

Klan News

/tvklan.al