Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vendosin sanksione ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GJPN), me synimin për t’i kufizuar burimet financiare dhe për të penguar funksionimin e saj. Lajmi është bërë i ditur nga sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i cili deklaroi se administrata e presidentit Donald Trump nuk do të lejojë që kjo gjykatë të ndjekë penalisht shtetasit amerikanë.

“Do të ndalojmë transaksionet me këtë gjykatë, duke i ndërprerë burimet financiare dhe duke paralizuar aftësinë e saj për të funksionuar”, deklaroi Rubio.

Masat e reja pritet të jenë më të gjera se sanksionet e mëparshme, të cilat prekën gjyqtarë dhe prokurorë të veçantë. Ato mund të përfshijnë edhe kompanitë që ofrojnë shërbime për Gjykatën Penale Ndërkombëtare.

Uashingtoni ka kundërshtuar vazhdimisht veprimet e GJPN-së, veçanërisht urdhërarrestet e lëshuara ndaj zyrtarëve izraelitë, mes tyre kryeministrit Benjamin Netanyahu. SHBA-të kanë kundërshtuar gjithashtu hetimin e mëparshëm të Gjykatës për veprimet e ushtarakëve amerikanë në Afganistan, i cili më vonë u mbyll.

Rubio paralajmëroi se SHBA-të do të vazhdojnë përpjekjet për të dobësuar institucionin nëse ai nuk ndryshon qëndrimin e tij. “Ose GJPN-ja do t’i japë fund kërcënimeve të saj, ose ne do t’i japim fund GJPN-së”, u shpreh ai.

Sekretari amerikan i Shtetit u bëri thirrje edhe aleatëve të Uashingtonit që të marrin masa kundër Gjykatës, duke argumentuar se shumë prej tyre mbështeten te ushtria amerikane për sigurinë e tyre. Sipas tij, SHBA-të do të vazhdojnë fushatën kundër GJPN-së derisa, siç tha ai, qytetarët amerikanë të mos jenë më të kërcënuar.

Nga ana tjetër, Gjykata Penale Ndërkombëtare i ka cilësuar sanksionet amerikane si një sulm ndaj shtetit të së drejtës dhe rendit juridik ndërkombëtar. Në reagimin e saj, GJPN-ja theksoi se këto masa godasin parimin se askush nuk është mbi ligjin, duke shtuar se historia do ta gjykojë këtë vendim.

Edhe Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim për paralajmërimin e Uashingtonit. Komisioni Evropian deklaroi se do të bashkëpunojë ngushtë me Gjykatën për të siguruar vazhdimin e punës së saj dhe për të mbrojtur interesat e kompanive evropiane që mund të preken nga sanksionet.

BE-ja bëri të ditur se masat nuk pritet të hyjnë menjëherë në fuqi, pasi parashikohet një periudhë kalimtare prej gjashtë muajsh. Sipas Komisionit Evropian, kjo periudhë mund të shfrytëzohet për dialog dhe përpjekje për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.

Në mbrojtje të Gjykatës është shprehur edhe kryeministri holandez, Rob Jetten, i cili deklaroi se Holanda do ta mbrojë GJPN-në sa herë të jetë e nevojshme. Ai bëri të ditur se vendi i tij po zhvillon bisedime diplomatike për t’i shpjeguar Uashingtonit se sanksionet ndaj Gjykatës mund të dëmtojnë marrëdhëniet mes Evropës dhe SHBA-ve.

Jetten shtoi se disa vende po shqyrtojnë propozime për reformimin e Gjykatës dhe u bëri thirrje amerikanëve që të marrin pjesë në dialog, në vend që të çojnë më tej përplasjen.

Përplasja mes Uashingtonit dhe Gjykatës Penale Ndërkombëtare pritet të sjellë diskutime të mëtejshme mbi juridiksionin e saj, pavarësinë e drejtësisë ndërkombëtare dhe marrëdhëniet mes SHBA-të dhe aleatëve evropianë.

/tvklan.al