Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, njoftoi të mërkurën se qeveria amerikane do të pezullojë ndihmën financiare në vlerë më shumë se 95 milionë dollarë për Gjeorgjinë.

Blinken tha se pezullimi ka të bëjë me “veprimet antidemokratike dhe deklaratat e rreme të qeverisë gjeorgjiane”, të cilat “nuk janë në përputhje me kushtet për anëtarësim në BE dhe në NATO”.

“Teksa ndihma financiare do të pezullohet, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë t’i ndihmojnë programet dhe aktivitetet në Gjeorgji të cilat e forcojnë demokracinë, sundimin e ligjit, mediat e pavarura dhe zhvillimin e ekonomisë”, tha Blinken.

Edhe Bashkimi Evropian e pezulloi ndihmën për Ministrinë e Mbrojtjes së Gjeorgjisë më 9 korrik.

Në qershor, Parlamenti i Gjeorgjisë kaloi një ligj për “agjentët e huaj”, të cilin Uashingtoni e cilëson si jodemokratik.

Ligji u kërkon organizatave që e marrin më shumë se 20% të financimit të tyre nga vendet e jashtme, të regjistrohen si agjentë të ndikimit të huaj. Ai u kritikua nga partitë vendore dhe nga Perëndimi, të cilët thonë se ligji është i frymëzuar nga një ligj i ngjashëm rus për t’i luftuar kundërshtarët.

Në maj, Shtetet e Bashkuara vendosën regjim vizash dhe thanë se bashkëpunimi dypalësh me Gjeorgjinë do të rishikohet./REL