Shtetet e Bashkuara kanë pranuar një avion luksoz Boeing 747 si dhuratë nga Katari. Një dhuratë që ka ngjallur kritika, përfshirë edhe nga disa prej mbështetësve më të mëdhenj të Presidentit Trump.

“Sekretari i Mbrojtjes ka pranuar një Boeing 747 nga Katari në përputhje me të gjitha rregullat dhe rregulloret federale”, tha zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, në një deklaratë.

Aeroplani do të duhet të modifikohet përpara se të mund të përdoret si pjesë e Air Force One dhe mund të ketë nevojë për eskortë avionësh luftarakë dhe do të kufizohet në fluturime brenda SHBA-së, kanë bërë të ditur ekspertë të aviacionit.

Shtëpia e Bardhë këmbëngul se dhurata është e ligjshme por ky vendim vijon të ngjallë polemika. “Kjo është një ditë të errët në histori: Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës pranoi zyrtarisht dhuratën më të madhe nga një qeveri e huaj në historinë amerikane. Veprimi i paprecedentë është një njollë për presidencën dhe nuk mund të mbetet pa përgjigje“, tha udhëheqësi demokrat i Senatit, Chuck Schumer.

Aeroplani është një dhuratë nga Familja Mbretërore e Katarit dhe vlerësohet të ketë një vlerë prej 400 milionë Dollarësh. Mund të duhen vite për t’u pajisur me sisteme shtesë sigurie dhe përmirësime të nevojshme për të transportuar Presidentin.

Ekspertët kanë bërë të ditur se kostot e një rikonstruksioni të tillë mund të arrijnë lehtësisht në 1 miliard Dollarë. Duke justifikuar këtë dhuratë një javë më parë, Trump tha se do të ishte “budallallëk” të refuzonte aeroplanin dhe se kjo është një shkëmbim i thjeshtë midis dy qeverive. Deri më tani transferimi i avionit nga Katari ende nuk ka marrë miratimin e Kongresit.

Klan News

/tvklan.al