“Sanksionet e reja të SHBA-së kundër sektorit energjetik të Iranit tregojnë për “mungesën e vullnetit të mirë ” të Uashingtonit lidhur me dialogun me Teheranin”.
Kështu u shpreh zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit Esmaeil Baghaei përpara bisedimeve bërthamore Iran-SHBA këtë fundjavë. Sipas tij, ky vendim bie në kundërshtim me pretendimin amerikan për dialog dhe negociata dhe tregon mungesën e seriozitetit të SHBA-së në këtë drejtim.
Në një lëvizje të fundit, Uashingtoni vendosi sanksione të reja që synuan manjatin iranian të gazit të lëngshëm të naftës Seyed Asadoollah Emamjomeh dhe rrjetin e tij të korporatës.
“Emamjomeh dhe rrjeti i tij u përpoqën të eksportonin mijëra dërgesa të gazit të lëngshëm, përfshirë nga Shtetet e Bashkuara, për të shmangur sanksionet amerikane dhe për të gjeneruar të ardhura për Iranin”, u shpreh në një deklaratë Sekretari i Thesarit, Scott Bessent.
Bisedimet e nivelit të lartë dhe të ekspertëve do të zhvillohen këtë të shtunë në Oman për të filluar hartimin e një marrëveshjeje të mundshme mbi programin e diskutueshëm bërthamor të Iranit.
Në një vizitë në Pekin ministri i Jashtëm iranian Abbas Araqchi u tha mediave shtetërore të Iranit se ishte shumë herët për të gjykuar rezultatin e bisedimeve Iran-SHBA, të cilat sipas tij po shkonin në drejtimin e duhur.
Klan News